Lajme

“LDK i qëndroi besnike pozicionit të vet me refuzimin e VV-së – propozimi i Abdixhikut të merret parasysh”

05/06/2025 21:00
nga:G B

Njohësja e çështjeve politike, Magbule Shkodra, ka komentuar refuzimin e LDK-së për koalicion qeverisës me VV-në dhe propozimin e Abdixhikut për një qeveri të tranzicionit.

Ajo në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se LDK me refuzim ka respektuar pozicionin e saj të marrë që nga përfundimi i zgjedhjeve, duke i qëndruar besnik qëndrimeve të saj.

“Refuzimi i LDK-së për një koalicion me VV-në është respektim i pozicionit që ka marrë prej kur kanë përfunduar zgjedhjet dhe qysh atëherë LDK pat thënë se rezultati që ka marrë e obligon që të qëndrojë në opozitë dhe në letrën e parë që Kurti ua dërgoi dhe në vazhdimësi kemi dëgjuar nga zyrtarë të LDK-së po edhe nga vet kryetari i LDK-së që nuk preferojnë ndonjë bashkëpunim me VV-në, duke numëruar ofendimet, akuzat e shumta nga VV në drejtim të LDK-së. Pra është respektim i pozicionit të vet. LDK ka qëndruar besnike ndaj asaj që ka thënë deri më tani. Madje, sa i përket propozimit për kryeparlamentar, LDK ishte e prerë se nuk e voton asnjë kandidat nga VV”, ka vlerësuar ajo.

Ndërsa, sa i përket propozimit, Shkodra thotë se duhet të merret parasysh, pasi është ide e mirë duke marrë parasysh krizën e thellë institucionale në të cilën gjendet Kosova.

Megjithatë, ajo shprehet skeptike që ajo do të pranohet nga Kurti.

“Por, më vjen shumë mirë që ka bërë një propozim, LDK e ka pasur parasysh situatën e vështirë, krizën e thellë institucionale në të cilën gjendet Kosova dhe më vjen mirë që propozimin që e ka bërë është shumë i arsyeshëm dhe madje unë shumë herë kam thënë se është mirë të formohet një qeveri e unitetit, sepse ashtu do të mund të zgjidheshin punët kryesore që po e presin Kosovën, të gjithë do të ishin në një qeveri me një kryeministër konsensual dhe kështu do të kalonim deri të vinim te procesi i zgjedhjes së presidentit. Pra, ideja e LDK-së është për t’u përshëndetur dhe shpresoj të hasë në përkrahje nga të gjithë liderët tjerë të partive shqiptare, megjithatë kam hezitimet e mia se Kurti do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese. Mirëpo, të presim e të shohim”, ka deklaruar Magbule Shkodra./Gazeta Blic/

 

Refuzimi i LDK-së/ Deputetja e Guxo: Kosova nuk e ka luksin që për inate të disa individëve të mos e vazhdojë qeverisjen

Humolli: Kjo ‘loja’ me qu letra e me kthy letra është ofendimi më i madh qe i behet qytetarit!

Kjo është letra e Abdixhikut dërguar Kurtit

Propozimi i Abdixhikut për qeveri tranzicioni/ Matoshi: Për kë dhe për çka? Kurti do stigmatizim dhe nënshtrim të te tjerëve, jo bashkëpunim!