Real Madrid dje siguroi kalimin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve duke e mposhtur Liverpoolin pas rezultatit të përgjithshëm 3-1.
Skuadra e portjerit belg, Thibaut Courtois do të përballet me Chelsean në gjysmëfinale të kësaj gare, shkruan GazetaBlic Sport.
Në lidhje me përballjen me ish ekipin e tij ka folur portieri i Real Madrid, i cili është shprehur i emocionuar që do të shoh disa nga miqtë e tij në Londër.
“Është një lojë e veçantë kundër ish-klubit tim. Që kur Thomas Tuchel erdhi, ata kanë luajtur 3-5-2, 3-4-3 dhe po paraqiten mirë, duke mos pësuar shumë gola. Do të jetë një ndeshje e vështirë por shpresoj se mund ta kalojmë”, tha Courtois për beIN Sport.
“Do të jetë gjë shumë e mirë të shoh shumë fytyra të njohura dhe do të doja të kishte publik në Stamford Bridge, sepse kisha shumë momente të lumtura atje, edhe pse mbase largimi im nuk ishte në mënyrën më të mirë, ose u vendos në atë mënyrë, por unë kam vetëm kujtime të mira. Dy Premier League, shumë trofe të tjerë, unë jam vërtet i lumtur për ta, por vetëm një mund të jetë në finale dhe shpresoj që të jetë Real Madrid ”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport.


