Lajme

LAJMI I FUNDIT: PZAP e refuzon ankesën e Vetëvendosjes në Prizren

11/23/2021 13:47
nga:Gazeta Blic

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka refuzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, për rezultatin e zgjedhjeve në Prizren, raporton Gazeta Blic.

Sipas vendimit që e ka siguruar Gazeta Blic, thuhet se ankesa e parashtruar nga ana e subjektit politik të drejtuar nga Albin Kurti, është e pabazuar.

VV-ja ka kërkuar që në 22 qendra të anulohet rezultati i publikuar dhe të urdhërohet KQZ-ja të organizojë rivotimin si shkak i diferencës së daljes së votuesve për të votuar dhe fletëvotimet në kutitë e votimeve. Një gjë të tillë e ka kërkuar edhe për një qendër të votimit në fshatin Hoqë e Qytetit.

Sipas PZAP-së, Lëvizja Vetëvendosje ankesat i ka dorëzuar pas afatit ligjor.

“Meqenëse ankesa është e paafatshme, Paneli nuk i shqyrtoi pretendimet tjera ankimore pasi nuk u lëshua në vendosjen meritore në raport me këto pretendime.

Në vazhdim e gjeni vendimin e plotë të PZAP-së.

Lëvizja Vetëvendosje në Prizren para pak ditësh kishte bërë ankesë në PZAP. Sipas VV-së, në ditën kur janë mbajtur zgjedhjet në këtë komunë ka pasur presione ndaj votuesve në hyrjet e vendvotimeve, tendencë për ndryshimin e vullnetit qytetar në javën e fushatës përmes shpërndarjes së parave dhe të mirave materiale, por edhe kërcënime ndaj komuniteteve.

“Vonesa e raportimit të rezultateve nga disa vendvotime, ku pjesëmarrja deri në orët e vona ka qenë shumë e ultë dhe pastaj kemi pasur një rritje të madhe të numrit të votuesve si dhe dëshmitë për nënshkrimet e votuesve të cilët nuk kanë qenë në Kosovë në ditën e votimit jep indikacione që është devijuar vullneti qytetar”, thuhet në reagimin e VV-së në Prizren.

Ndaj, kanë kërkuar nga organet kompetente të hetuesisë që të gjitha këto raste të hetohen dhe që të verifikohen nënshkrimet në librin e votuesve.

“Përfundimisht raportimet e qytetarëve për ditën e zgjedhjeve dhe për procesin zgjedhor, lënë hapësirë për shumë dyshime që duhet të hetohen nga organet kompetente”.

“Për hir të demokracisë dhe mbrojtjes së vullnetit qytetar, të gjitha rastet e përmendura duhet të hetohen, ashtu që mos të vihen në pikëpyetje themelet e demokracisë në Republikën e Kosovës”.

Vetëvendosje, kishte parashtruar ankesë për rezultatin e zgjedhjeve në Prizren, pas humbjes në balotazh.

Ndryshe, Shaqir Totaj i PDK-së ka fituar me 1 mijë vota epërsi, përballë kandidatit të Vetëvendosjes, Mytaher Haskuka.