Lajme

Lajçak: Me Escobarin u ulëm për të koordinuar hapat e ardhshëm në dialog

02/28/2023 21:49
nga:Astrit Gashi

Emisari i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, ka thënë se pas takimit të djeshëm në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë ulur bashkë me të dërguarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për siç u tha, koordinimin e hapave të ardhshëm në prag të takimit që do të zhvillohet kah mesi i marsit.

Diplomati sllovak theksoi se dje pati pajtim për rëndësinë e marrëveshjes për modalitetet e zbatimit të planit të BE-së dhe nevojën për të zbatuar të gjitha marrëveshjet ekzistuese të dialogut.

“Pas takimit të djeshëm të nivelit të lartë, Zëvendës Asistenti Escobar dhe unë u ulëm për të koordinuar hapat e ardhshëm në prag të takimit të ardhshëm”, shkroi ai në Twitter.

“U pajtuan për rëndësinë e marrëveshjes për modalitetet e zbatimit dhe nevojën për të zbatuar të gjitha marrëveshjet ekzistuese të Dialogut”.