Sporti

Labinot Osmani flet para ndeshjes së madhe ndaj Flamurtarit: Jemi shumë të motivuar, duam inkuadrimin në Superligë

05/20/2021 16:45
nga:Mergim Rreci

Ndeshja e barazhit e Ligës së Parë, ndërmjet Dukagjinit dhe Flamurtarit, do të zhvillohet të premten në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, në orën 15:00.

Pritet të jetë ndeshje shumë e rivalizuar nga të dy skuadrat, atje ku kërkohet me ngulm fitorja e madhe, shkruan GazetaBlic Sport.

Fituesi i kësaj ndeshje do të luajë me skuadrën që do të përfundojë në pozitën e tetë në Superligën e Kosovës.

Sulmuesi i skuadrës nga Klina, Labinot Osmani tha për GazetaBlic Sport se janë shumë të motivuar për këtë takim dhe se kjo pa asnjë dyshim është njëra ndër ndeshjet më të rëndësishme të sezonit.

“Nesër është njëra ndër ndeshjet më të rëndësishme të sezonit dhe besoj që secili lojtar e kupton rëndësinë e lojës dhe mendoj se ekipa është mjaft e motivuar. Që në fillim të edicionit, objektivi kryesor ka qenë inkuadrimi në Superligë dhe ecuria ka qenë e atillë që ne i kemi edhe dy finale të barazhit. Fillimisht barazhi nesër kunder flamurtarit dhe eventualisht barazhi ndaj një skuadre të Superligës”, tha fillimisht për GazetaBlic Sport.

Më pas ai tha se duhet që fillimisht të fokusohen maksimalisht në ndeshjen e nesërme, atje ku shpreson shumë tek fitorja e madhe.

“Ne duhet të fokusohemi fillimisht në ndeshjen e nesërme dhe se shpresoj shumë që do të arrijmë të marrim fitoren“, përfundoi Osmani.

/GazetaBlic Sport/