Një qeverisje komunale në Prishtinë që do të udhëhiqej nga Daut Haradinaj, do të ndërhynte në shumë sektorë. Një prej tyre, siç shprehet në program, është edhe aspekti social i krijimit të familjeve të reja, që prek çiftet e reja.
Daut Haradinaj, kandidati për kryetar të Prishtinës, planifikon që si krytar i kryeqytetit të realizoj projektin për banesat komunale, me model të financimit publiko-privat, të cilat do t’u shiteshin kategorive të caktuara me çmime dhe kusht shumë të favorshme se banesat e ndërtuara për qëllime komerciale.
Në programin e Haradinajt thuhet se ato çifte që do t’i marrin këto banesa, nuk do të jenë të obliguar për pjesëmarrje financiar, por do të nisin drejtpërdrejt me pagesat mujore për periudhën 20-vjeçare.
Si shembull, një banesë prej 100 m2 do të shitej për 60,000 euro, me këste të barabarta prej 250 euro në muaj, për 20 vjet. Blerësit do të kenë mundësi që ta finalizojnë blerjen në cilëndo kohë që e kanë mundësinë financiare.
Përfituesit më të mundshëm të banesave të tilla, do të ishin çiftet e reja, deri në moshën 35 vjeçare, të cilët kanë më shumë se një fëmijë dhe të cilët do të mund të dëshmonin se jetojnë në bashkësi familjare dhe në hapësira të ngushta për jetesë normale. Në program thuhet se nëse një çift i ri jeton me familjen e gjerë në banesë më të vogël se 80 m2, atëherë konsiderohet hapësirë e papërshtatshme për çiftin.
Sipas analizave, ky favor për çiftet e reja do të ndikonte në përmirësimin e kualitetit të jetës, pavarësimin e familjeve të reja, si dhe krijon hapësirë adekuate për rritjen dhe zhvillimin e shëndoshë të fëmijëve.
Për më shumë, Haradinaj synon që banesat komunale të ndërtohen sipas konceptit të energjisë së ripërtëritshme (energji solare dhe gjeotermi), si dhe me izolim modern. Ky propozim i Haradinajt është pritur jashtëzakonisht mirë nga të rinjtë, të cilët shpeshherë i shtyjnë martesat dhe planet e tyre familjare, në mungesë të hapësirave të përshtatshme për banim.