Lajme

Kushtëzimi i BE-së për Kosovën e Serbinë/ Haliti: Presion që palët t’i zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara

05/07/2024 21:52
nga:G B

Kosova dhe Serbia janë kushtëzuar për të përfituar nga ndihma e Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, në vlerë prej 6 miliardë euro.

BE ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia “angazhimin konstruktiv të tyre me progres të matshëm dhe rezultate të dukshme në normalizim të marrëdhënieve të tyre”.

Lidhur me këtë, për Gazeta Blic ka folur deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, i cili vlerëson se ndarja e një buxheti të tillë është një mini plan Marshall për të nxjerr nga kriza vendet e Ballkanit.

“Ndarja e një buxheti në shumën prej gjashtë miliardë euro, për Ballkanin Perëndimor, është një mini plan Marshall, që shtetet e Ballkanit të dalin nga krizat e shumta që popujt tanë i kanë bartur në kurrizin e tyre tani e një shekull. Varfëria, përçarjet fetare, nacionale, e ideologjike, luftërat e shumta të përbashkëta e kundër njëri-tjetrit, grabitjet e tokave e pasurive të njëri-tjetrit, shtypja e asimilimi i të fortëve ndaj atyre më të dobët, ke ndikuar që në zhargonin politik të shekullit të kaluar e deri sot, Ballkani të quhet “Bure Baroti”. Ky shekull filloi me përkushtimin e madh të vendeve të demokracive perëndimore, që të na ndihmojnë që edhe neve të demokratizohemi e europianizohemi”, vlerëson deputeti.

Kushtëzimi i Kosovës e Serbisë potencon Haliti, është presion i drejtpërdrejtë që të dyja palët t’i zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara dhe t’i hapin rrugë njëra tjetrës për anëtarësim në BE.

Ai shpreson që të dyja vendet të reflektojnë dhe të ndryshojnë qasje.

“Kushti që i është vënë Kosovës e Serbisë për qasje në fondet e ndara nge BE, sipas pikëpamjes së tyre është presion i drejtpërdrejtë që Kosova e Serbia të zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara dhe a janë të gatshme që t’i hapin rrugë njëra-tjetrës, që së bashku me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e BE-së. Politikat Udbasho – Putiniste janë bërë pengesë për të dyja palët. Shpresoj që udhëheqjet e të dyja vendeve do të reflektojnë dhe do të ndryshojnë qasjen. Neve nuk jemi kërthiza e botës, por të dyja palëve na është dhënë shansi i dëshirueshëm”, deklaron deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti./Gazeta Blic/

BE-ja miraton programin 6 miliardësh për Ballkanin Perëndimor, Kosova dhe Serbia kushtëzohen