“Asociacioni mund të adresohet në marrëveshjen finale”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që i bie se në njëfarë mënyre pranoi formimin e tij, raporton GazetaBlic.
Kështu të paktën thotë njohësi i çështjeve politik, Dritëro Arifi i cili për GazetaBlic, u shpreh se Kurti e pranoi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke marrë parasysh insistimin nga SHBA-të.
“Kurti në njëfarë mënyre, mes rreshtave dhe me gjysmë goje e pranoi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këtë e bëri duke parë insistimin permanent të SHBA-ve që të bëhet sa më shpejt ky Asociacion”, tha Arifi.
Sipas Arifit, kryeministri Kurti humbi dy vite kohë që të arrijë në një përfundim për Asociacionin.
Krahas kësaj, Arifi thotë se është hap pozitiv që Kurti dhe Qeveria e tij po i pranon sugjerimet e ndërkombëtarëve.
“Është dashtë të humbin dy vite, që Kurtit t’i thuhet 5 milion herë që Asociacioni do të bëhet vetëm sipas ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës. Ka ardhë në një konkluzion që të gjithë e kemi ditur, që ajo do të bëhet në formën se si është kërkuar nga Gjykata Kushtetuese dhe kjo është humbje kohë, është dorëzim para një akti që Kurti ka mund ta bëjë edhe më herët dhe sot dialog do të mund të ishte në një nivel krejt tjetër, por më mirë vonë se kurrë. Është një hap pozitiv që Kurti dhe Qeveria e tij pranoi sugjerimet e partnerëve tanë”, tha Arifi për GazetaBlic.
Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të adresohet brenda një marrëveshjeje eventuale për normalizimin e plotë të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.
Këto komente të Kurtit, të bëra më 12 janar gjatë vizitës në Austri, vijnë një ditë pasi një zyrtar i lartë amerikan tha se Asociacioni është një çështje urgjente dhe kërkoi nga Kosova që të japë propozime sa i përket themelimit të Asociacionit.
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha gjatë një vizite në Prishtinë, se Kosova “duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.
/GazetaBlic/
Chollet kërkon urgjentisht krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe


