Lajme

Kurti telefonatë me Erdogan, flasin për tërmetin e takimin me Vuçiqin në Bruksel: Turqia e gatshme për të ndihmuar në dialog

03/04/2023 19:17
nga:G B

Sot, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, raporton Gazeta Blic.

“Në emër të Qeverisë së Republikës dhe popullit të Kosovës, Kryeministri Kurti i shprehu edhe njëherë ngushëllime Presidentit Erdogan, e përmes tij, familjarëve të viktimave të tërmetit dhe mbarë popullit të Turqisë. Gjithashtu ai falënderoi Presidentin Erdogan për mikpritjen zemërgjerë në Stamboll me datën 3 shkurt, ku patën një takim tejet produktiv që do të shërbejë për forcim të mëtejshëm të marrëdhënieve dhe miqësisë së përhershme në mes të dy vendeve tona”, njofton zyra e kryeministrit.

Sipas njoftimit, Kryeministri Kurti ka thënë që Kosova është vend jo i madh por me zemër të madhe, që ka dëshmuar bujari ndaj të gjithëve në ditët e tyre të vështira. Së fundi edhe ndaj ukrainasve e afganëve. Kosova është dhe gjithmonë do të vazhdojë të qëndrojë pranë shteteve mike në ditët e tyre të vështira, posaçërisht Turqisë.

Ndërsa, presidenti Erdogan ka falënderuar Kryeministrin Kurti për solidarizim të plotë me shtetin dhe popullin Turqisë e cila po kalon fatkeqësinë më të rëndë në këtë shekull.

“Ai falënderoi për vendimin për mbështetje dhe ndihma, për pjesëtarët e FSK-së që bënë kërkim-shpëtim në rrënoja si dhe për shpalljen e ditës së zisë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Dyshja kanë biseduar edhe për takimin e fundit në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çfarë Presidenti Erdogan përshëndeti rezultatin e arritur, duke shprehur mbështetjen e tij Kryeministrit Kurti dhe gatishmërinë për të ndihmuar.