Lajme

Kurti takon ambasadorët e QUINT-it, u kërkon mbështetjen në KiE

05/06/2024 15:37
nga:G B

Kryeministri Albin Kurti u ka kërkuar ambasadorëve të shteteve të QUINT-it që ta mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në votimin që do të bëhet në maj në Komitetin e Ministrave.

Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se këtë Kurti e tha në një takim që pati gjatë ditës së sotme bashkë zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it.

“Ai i bëri thirrje shteteve aleate të Kosovës, shteteve të QUINT-it që të mbështesin anëtarësimin e Kosovës me 17 maj në përputhje me vlerësimet nga vetë institucionet e Këshillit të Evropës, dhe mbi bazën e arritjeve meritore në zhvillimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe linjëzimit të saj me vlerat dhe qëndrimet perëndimore. Në kohën kur autokracitë në Evropë janë në rritje dhe po cenojnë çdo herë e më shumë demokracinë, sigurinë dhe paqen, arritjet demokratike të Kosovës duhet të festohen nga demokracitë perëndimore”, thuhet në njoftim.

Kurti theksoi se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, me një kushtetutë të avancuar e cila ofron të drejta të garantuara dhe zgjeruara për komunitet joshumicë, dhe tejkalon standardet ndërkombëtare, e vlerësuar kështu edhe nga Juristët Eminentë të Këshillit të Evropës. Me letrën e garancisë, Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim, prandaj edhe çdo kërkesë tjetër është në shpërputhje me vetë votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 16 prillit, të mbështetur në masën 82% (131 kundrejt 29).

Kryeministri kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg; se procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimi të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon. Këto dy procese nuk duhet të përzihen pasi nuk e ndihmojnë njëra-tjetrën. Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Kryeministri theksoi se neni 7 i Marrëveshjes Bazike nuk mund të nxirret nga pakoja e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit në Ohër dhe nuk duhet të vendoset si prioritet dhe në qendër. Ai kujtoi se me 26 tetor, u refuzua oferta për t’u nënshkruar Marrëveshja në pako që do t’i hapte rrugën zbatimit të plotë të Marrëveshjes, duke përfshirë nenin 7 të saj ndërlidhur me nenin 10. Në këtë drejtim, Kryeministri e ritheksoi se dokumenti i ofruar si draft statut nga Lajçak për zbatimin e nenit 7 ndërlidhur me atë 10, nuk është pranuar me 26 tetor vitin e kaluar në Bruksel.