Lajme

Kurti: Synimi ynë është t’i dalim zot atdheut dhe ushtria jonë të jetë në NATO

11/27/2026 22:38
nga:Mergim Rreci

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po qëndron në Tiranë, për Samitin e Planit të Rritjes.

Në vigjilje të 28 Nëntorit, Kurti mori pjesë edhe në ceremoninë e Ditës së Forcës.

“Ushtria jonë është duke u kompletuar çdo ditë e më shumë, e për këtë ne jemi shumë të vendosur, sepse gjatë mandatit të kaluar kemi trefishuar buxhetin e ushtrisë, derisa në këtë mandat zotimi ynë është të investojmë mbi 1 miliard euro në ushtri”, shkroi Kurti.

Me këtë rast, Kurti u shpreh se synimi i FSK-së është t’i dal zot atdheut dhe të jetë pjesë e NATO-s.

Ky është postimi i plotë i tij:

Ditën e Forcës sot e shënuam në Tiranë, në prag të 28 Nëntorit, Festës së Flamurit dhe 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Ushtria jonë është duke u kompletuar çdo ditë e më shumë, e për këtë ne jemi shumë të vendosur, sepse gjatë mandatit të kaluar kemi trefishuar buxhetin e ushtrisë, derisa në këtë mandat zotimi ynë është të investojmë mbi 1 miliard euro në ushtri.

Po ashtu, kemi rekrutuar 3,220 ushtarë të rinj dhe po i mbërrijmë kapacitetet ushtarake që janë paraparë të arrihen në vitin 2028, duke përshpejtuar për dy vjet realizimin e objektivave tona strategjike.

Për 12 vjet, FSK-ja kishte vetëm një lloj pushke dhe një lloj pistolete, kurse gjatë qeverisjes sonë, arsenali është zgjeruar në mbi 40 lloje sistemesh armatimi. Po ashtu, nënshkruam kontratën për fabrikën e parë të municioneve, e cila do të jetë ndërmarrje publike dhe do të prodhojë me markë 100% vendore.

Synimi ynë është i qartë, t’i dalim zot atdheut dhe ushtria jonë të jetë pjesë e NATO-s.