Lajme

Kurti shpreh ngushëllime për viktimat në Pejë, publikon identitetin e tyre: Qeveria e angazhuar për tejkalimin e pasojave nga vërshimet

06/25/2023 11:55
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për dy viktimat nga vërshimet në Pejë, raporton Gazeta Blic.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se viktimat janë Dion Ademaj dhe Mirsada Ademaj dhe se vdekja e tyre është humbje e madhe për familjet Ademaj dhe Hoxhiq, dhe  humbje e madhe për vendin tonë.

Kurti ka thënë se Qeveria është e angazhuar me kapacitetet e saj me FSK-në dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave që të ndihmojë në përballimin dhe tejkalimin e pasojave të vërshimeve.

Postimi i tij i plotë:

Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të jetëve të dy qytetarëve tanë, Dion Ademaj dhe Mirsada Ademaj, nga vërshimet e mbrëmshme në Pejë.

Kjo humbje e madhe për familjet Ademaj dhe Hoxhiq është humbje e madhe për vendin tonë. Në këto ditë të rënda, dhembjen e ndajmë bashkë me familjarët dhe miqtë e tyre.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.

Të lënduarve u uroj shërim sa më të shpejtë.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar me kapacitetet e saj me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave që të ndihmojë në përballimin dhe tejkalimin e pasojave të vërshimeve. Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, janë në komunikim me Komunën e Pejës për të koordinuar veprimet në ofrim të mbështetjes së nevojshme.