Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vazhdon të thotë se në këto tri vite të qeverisjes së tij, ka pasë zhvillim ekonomik me progres demokratik, raporton GazetaBlic.
Kurti përmes një shkrimi në “Facebook” thotë se, ky progres u dëshmua edhe ndërkombëtarisht, teksa shton se, Kosova është ngritur për 21 vende më lartë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International dhe për 22 vende në Indeksin e Lirisë së Medieve të Reporterëve pa Kufij.
“Të parët në Ballkanin Perëndimor dolëm edhe në raportin e sivjetshëm të V-Dem për demokraci. Aty renditemi në vendin e 62-të në botë dhe jemi në mesin e nëntë vendeve të botës që kanë shënuar përparim të vazhdueshëm në demokraci. Ndërkaq në Indeksin e Sundimit të Ligjit të Projektit të Drejtësisë Botërore (ëorld Justice Project) për dy vjet radhazi ishim në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor”, shton Kurti.
Shkrimi i plotë:
Tri vjet mirëqeverisje për zhvillim ekonomik me progres demokratik. E progresi ynë demokratik u dëshmua edhe ndërkombëtarisht. Republika e Kosovës arriti renditjet më të larta në matjet dhe indekset e organizatave të rëndësishme ndërkombëtare. Njohja gjerësisht e avancimit tonë si shtet, shënon historinë e suksesit të demokracisë sonë.
Jemi ngritur për 21 vende më lartë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International dhe për 22 vende në Indeksin e Lirisë së Medieve të Reporterëve pa Kufij.
Në raportin e Freedom House të vitit të kaluar u renditëm të parët në Ballkanin Perëndimor, të dytët në Evropë dhe të tretët në botë në përmirësimin e të drejtave politike dhe lirive civile.
Të parët në Ballkanin Perëndimor dolëm edhe në raportin e sivjetshëm të V-Dem për demokraci. Aty renditemi në vendin e 62-të në botë dhe jemi në mesin e nëntë vendeve të botës që kanë shënuar përparim të vazhdueshëm në demokraci. Ndërkaq në Indeksin e Sundimit të Ligjit të Projektit të Drejtësisë Botërore (ëorld Justice Project) për dy vjet radhazi ishim në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor.
Në sfidat nga faktorë të jashtëm nga përballja me inflacionin dhe krizën energjetike, sipas Bankës Botërore, kemi pasur pakon më të madhe mbështetëse për qytetarë në raport me përqindjen e BPV-së, në krahasim me krejt rajonin, dhe atë pa shtuar borxhe të reja. Një raport tjetër i Bankës Botërore, ai mbi Indeksin e Maturitetit të Teknologjisë, tregoi se kemi avancuar nga Grupi C në atë B për sa i përket fokusit në qeverisjen digjitale.
Kurse në vitin 2022, Fondi Ndërkombëtar Monetar renditi Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor për nga rritja e grumbullimit të të hyrave, dhe atë pa ndryshuar politikat fiskale.
Rrugëtimi ynë vazhdon me përkushtim dhe vullnet edhe më të madh, për edhe më shumë progres.


