Lajme

“Kurti po e përdor çështjen e targave, nuk kërkon marrëveshje me Serbinë”

10/26/2022 12:32
nga:Y I

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Adri Nurellari deklaroi se kryeministri Albin Kurti, po e përdor çështjen e targave, për të mos arritur një marrëveshje finale me Serbinë.

Në një intervistë për Euronews Albania, Nurellari u shpreh se çështja e targave po krijon një konflikt artificial dhe të panevojshëm.

“Zotit Kurti i intereson që të devijojë vëmendjen dhe të arratiset nga tema kryesore, që është marrëveshja përfundimtare, përfundimi i dialogut me Serbinë. Zotit Kurti i intereson ta zvarrisë këtë proces sa më shumë, sepse nuk ka kurajo të ballafaqohet.

“Me çështjen e targave, me këtë lloj konflikti të panevojshëm artificial, përpiqet që të zvarrisë dhe të largojë finalizimin e dialogut, për mbylljen e dialogut, sepse e di që dialogu është si patate e nxehtë. E shikoj si një temë artificiale, të panevojshme”, theksoi ai.

Kurti ka thënë se afati i fundit kur qytetarët mund t’i kthejnë targat nga KM në RKS është data 31 tetor.

Kjo ka nxitur reagimin e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili duke u mbështetur tek deklaratat e vendeve të QUINT–it, të cilat sipas tij, i kanë kërkuar Kurtit shtyrjen e afatit, deklaroi se serbët në Kosovë I presin kohë të vështira.

Një paralajmërim ky që tregon se situata në veri mund të tensionohet pas datës 31 tetor.