Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka nisur raportimin e tij në kuvend për takimin e Ohrit.
Ai para deputetëve duke folur rreth ecurisë se si ka shkuar takimi me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, tha se rruga e dialogut është e gjatë, por që sipas tij po i vjen fundi.
“Për herë të parë që nga fillimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, normalizimi i plotë nuk është pjesë e premtimeve verbale, por i atyre me shkrim. Tuneli është ende i gjatë por unë besoj që atij po i vije fundi. Aleatët tanë kanë vendosur një kornizë me kushte strikte ndaj nesh dhe Serbisë në mënyrë që t’i lëmë mbrapa dallimet si prioritet të parë në kontekstin e caktuar për t’i ndihmuar strategjikisht interesit të tyre për një siguri kolektive dhe paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimorë e cila është në linjë me vlerat e NATO-s”, tha Kurti.
Ai për planin evropian thotë se tekst më të mirë nuk ka mundur me qenë.
“Nëse duam të trajtohemi si shtet, të njiheni si i tillë unë nuk mundem të iu shmang detyrimeve nga traktatet ndërkombëtare që ne lidhim, por në të njëjtën kohë jam i bindur që tekst më të mirë të marrëveshjes në situatën që jemi nuk ka qenë e mundur të mbërrijmë”, tha kryeministri Kurti.


