Lajme

Kurti pas vizitës në Gjermani: Kryefjala ishte rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

04/26/2024 21:11
nga:Mergim Rreci

Kryeministri Albin Kurti ka dhënë detaje mbi takimet që ka zhvilluar këtyre ditëve në Gjermani. Ai tha se kryefjala e vizitës së tij në Gjermani ishte rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, shkruan Gazeta Express.

Kurti tha se për këtë çështje kanë kërkuar mbështetje të mëtejmë nga aleatët gjermanë.

“Në Gjermani, nga Hannoveri në Berlin, dy ditë të tjera të mbushura me takime e ngjarje të vlefshme mes miqsh e partnerësh. Kryefjala e vizitës sonë ishte rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, për të cilën bëmë thirrje për mbështetje të mëtejme nga aleatët tanë gjermanë”, ka shkruar Kurti në një postim në “Facebook”.

Ai foli edhe për takimin me Ministren e Jashtme, Annalena Baerbock, e përfaqësues të partive politike atje.

“Takuam Ministren e Jashtme, Annalena Baerbock, Ministrin për Ushqim dhe Bujqësi, Cem Oezdemir, bashkë-drejtuesin e SPD-së gjermane, Lars Klingbeil, e dhjetëra deputetë të Parlamentit gjerman nga radhët e Partisë Socialdemokrate (SPD), Bashkimit Demokristian (CDU), Partisë së Gjelbër (Grune) dhe Partisë së Lirë Demokratike (FDP), të cilët i falënderoj për takimet e përzemërta, mikpritjen e tyre dhe mbështetjen e qëndrueshme ndaj Kosovës. Morëm pjesë në ngjarjen e organizuar nga grupi parlamentar i SPD-së në shënimin e 75 vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës dhe në bashkëbisedimin e organizuar nga Fondacioni Bertelsmann, ku në mesin e të pranishmëve ishin drejtuesi i Iniciativës së Stabilitetit Evropian (ESI), Gerald Knaus dhe drejtorja ekzekutive e fondacionit, Daniela Schëarzer”, tha tutje Kurti.

“Teksa Këshilli i Evropës i mbush 75 vjet nga themelimi i saj, në këtë përvjetor ajo duhet të zgjerohet dhe me Republikën tonë si anëtare të 47-të. Ne duam të kontribojmë dhe pasurojmë vlerat e parimet demokratike të kësaj organizate. Anëtarësimi ynë, përbën dhe hapin e parë drejt bashkimit tonë me familjen evropiane. Regjimet autoritare e jo-demokratike janë përjashtuar ose po kërcënojnë me largim nga Këshilli i Evropës, ndërsa Republika e Kosovës po kërkon me meritë anëtarësimin në këtë organizatë që mbron e promovon pikërisht të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë. Fuqizimi i marrëdhënieve me partnerët e aleatët tanë gjermanë është përherë i domosdoshëm e mban gjithmonë një vend të veçantë në politikën tonë të jashtme”, ka shkruar tutje Kurti.