Lajme

Kurti: Pa intervenim të NATO-s, situata në Kosovë do të përkeqësohej

07/05/2024 16:38
nga:Sh R

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pa intervenimin e NATO-s në Kosovë, situata veçse do të ishte përkeqësuar.

“Nuk kishte dyshime për ne, duke pasur parasysh kujtimet e freskëta të gjenocidit në Ruandë dhe Bosnje e Hercegovinë, se situata në Kosovë do të ishte përkeqësuar me shpejtësi pa intervenimin e NATO-s. Si kosovar, është e dhimbshme edhe të imagjinosh se sa më keq mund të ishte bërë”, tha Kurti në një opinion që e shkroi për The New York Times.

Që në fillim, thotë Kurti mes tjerash, ndërhyrja e NATO-s ishte humanitare.

“Por një ndërhyrje humanitare u shërben edhe interesave kombëtare, sado që ne do të donim t’i konsideronim ato si të dallueshme. Paqja në Evropë dhe ndalimi i vuajtjeve njerëzore u shërbenin interesave kombëtare të anëtarëve të NATO-s”, tha kryeministri Kurti mes tjerash.

Sipas Kurtit, konflikti në Ballkan rrit rrezikun e përhapjes në Evropën Perëndimore, jo vetëm nëpërmjet krizave të refugjatëve, por edhe duke tërhequr akterë të huaj në këtë kufi historikisht të rëndësishëm gjeopolitik, duke kërcënuar sigurinë e Evropës.

“NATO nuk është një entitet abstrakt që vepron më vete. Kërkon vullnet politik. Në rastin e Kosovës, ne kishim vullnetin politik të shumë fuqive të mëdha, përfshirë Shtetet e Bashkuara, fuqinë më të madhe ushtarake të NATO-s. Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright e njihte rajonin dhe tmerret e luftërave evropiane. Pavarësisht se ishte e lidhur fort me administratën e Klintonit, ndërhyrja ishte dypartiake. Në Kongres, senatori Bob Dole, një republikan, ishte një avokat i fortë”, tha ai.

Ndërhyrja e NATO-s u bë më 10 qershor të vitit 1999.

Atë natë, NATO-ja ndërpreu bombardimet kundër caqeve ushtarake serbe në ish-Jugosllavi.

Fushata e sulmeve, që zgjati 11 javë, u ndërmor për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.