Lajme

“Kurti nuk ka ndërmend të bëjë marrëveshje për presidentin, do t’ia hedh fajin sërish opozitës”

06/17/2026 21:21
nga:G B

Ka përfunduar numërimi i votave për zgjedhjet e 7 qershorit.

Pas certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së, pritet të nis formimi i institucioneve.

Por, ende nuk dihet se si do të bëhet krijimi i tyre, nëse do të ketë marrëveshje mes partive, sidomos për çështjen e presidentit, për çka dhe vendi shkoi në zgjedhje.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se është mirë që institucionet të formohen sa më parë, derisa ka thënë se do të takohet me partitë politike.

Por, sa do të mund të bëjë marrëveshje me ndonjërën nga partitë shqiptare për postin e presidentit?

Lidhur me këtë, analistja politike, Shqipe Pantina, në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se Kurti mund ta formojë qeverinë me pakicat joserbe por që do të ishte qeveri e brishtë.

“Bazuar në rezultatet e deritanishme, sipas të cilave Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 ulëse, ajo mund ta formojë qeverinë vetëm me mbështetjen e partive minoritare joserbe. Megjithatë, një formulë e tillë do të prodhonte një qeveri me shumicë të brishtë dhe jo të qëndrueshme në afat të gjatë”, ka thënë ajo.

Sipas Pantinës, deri tani nuk ka ndonjë përpjekje nga Kurti për takime me partitë shqiptare për formim të qeverisë.

“Deri më tani nuk kemi parë ndonjë përpjekje konkrete nga kryetari i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për të nisur takime me partitë shqiptare me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje për formimin e qeverisë. Por edhe më e rëndësishme sesa diskutimi për formimin e qeverisë është çështja e Presidentit të Kosovës, e cila mbetet sfida kryesore politike dhe një nga arsyet që e çoi vendin drejt zgjedhjeve të reja”, ka vlerësuar analistja për Gazeta Blic.

Por, më e rëndësishme është çështja e presidentit, për çka nevojiten më shumë vota dhe për çka vendi shkoi në zgjedhje.

Për këtë, Pantina thotë se edhe partitë tjera duhet të jenë më kreative për propozim të kandidatëve.

“Kurti vazhdon të mbetet një politikan i paparashikueshëm, i cili nuk e ka problem përballjen me krizat politike; përkundrazi, shpesh është akuzuar se vetë i ka shkaktuar ato. Në anën tjetër, edhe partitë opozitare duhet të tregohen më kreative dhe më fleksibile kur bëhet fjalë për zgjidhjen e çështjes së Presidentit. Ato duhet të shqyrtojnë kandidatë me integritet të lartë publik, edhe nëse nuk janë aktivistë apo anëtarë të subjekteve politike”, ka theksuar ajo.

Se sa mund të evitohen një palë zgjedhje tjera brenda këtij viti, ende nuk dihet. Por, sipas Pantinës, Kosova nuk mund të përballojë kriza të tjera.

“Kosova nuk mund të përballojë kriza të vazhdueshme politike dhe as një palë tjetër zgjedhjesh që nuk do të prodhonin asnjë ndryshim domethënës në skenën politike. Qytetarët presin stabilitet institucional, bashkëpunim politik dhe fokus te zhvillimi ekonomik e social i vendit”, ka deklaruar Shqipe Pantina.

Ndërsa, analistja politike Alma Lama, për Gazeta Blic thotë se Kurti i ka numrat që ta formojë qeverinë pa partitë shqiptare.

“Për sa i përket qeverisë, VV duket se i ka fituar numrat e nevojshëm dhe nuk do të ofrojë bashkëqeverisje për partitë shqiptare por vetëm për minoritetet jo serbe”, ka thënë ajo.

Sipas Lamës, Kurti duket se nuk e ka ndërmend të bëjë marrëveshje për presidentin, por që do të kërkojë të imponohet apo nënshtrohet ndonjë parti, që sipas saj mund të jetë LDK.

“Së pari, VV si partia fituese duhet të përpiqet të bëjë marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit. Nga deklarata e Kurtit ku duket se ia hedh fajin sërish opozitës, duket se ai nuk ka ndërmend të bëjë marrëveshje, por do të kërkojë të imponohet apo të nënshtrojë ndonjë parti. Syrin e ka te LDK-ja”, ka deklaruar analistja Alma Lama./Gazeta Blic/

Kompromis për presidentin apo sërish zgjedhje? Matoshi: Albin Kurti nuk ndërron qasjen, çdo ndryshim nënkupton fillimin e rënies së tij