Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur sot një takim virtual me Sir Suma Chakrabarti, ish-presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Në takimin e sotëm, Chakrabarti fillimisht e uroi kryeministrin Kurti për fitoren historike në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke shtuar se një fitore e tillë vendimtare i rrit gjasat për reformat e suksesshme ekonomike në Republikën e Kosovës.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, gjatë bisedës, kryeministri Kurti theksoi se sigurimi sa më shpejtë i vaksinave mbetet prioriteti më urgjent i yni.
Si prioritete të tjera, nga kryeministri Kurti janë identifikuar rritja e kreditimit për bizneset e vogla dhe të mesme, përmirësimi i klimës së investimit në Kosovë sidomos për mërgatën, dhe targetimi i shpenzimeve të sektorit publik për të krijuar sa më shumë vende të punës.
Në takim me kryeministrin Kurti, zëvendëskryeministrin Bislimi dhe ministrin Murati, Chakrabarti shprehu sugjerimet e tij dhe përvojat e tij në fusha të ndryshme, ndër to luftimin e korrupsionit, prania e të cilit pengon zhvillimin biznesor dhe ekonomik në vend, dhe strategjitë më të mira për dizajnimin e një fondi sovran.
Në fund, Chakrabarti u shpreh i hapur për bashkëpunim të vazhdueshëm në të ardhmen me Qeverinë e Republikës së Kosovës, për të mirën e qytetarëve të saj.
LEXO EDHE:
Arrijnë në Kosovë 4,680 dozat e para të vaksinës Pfizer