Lajme

Kurti, në nder të 22-vjetorit të Policisë: Kujtojmë sot policët që ranë për një Kosovë të lirë

09/06/2021 22:28
nga:Q R

Kryeministri Albin Kurti ka dedikuar një shkrim për Policinë e Kosovës në nder të 22-vjetorit të themelimit të këtij institucioni.

Kurti, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se sot kujtohen “policët që me ndjenjën e lartë të detyrës e të patriotizmit ranë për një Kosovë të lirë e demokratike”, përcjell Gazeta Blic.

Tutje, ai ka premtuar mbështetje të plotë për këtë institucion, duke e cilësuar si kyç në luftimin e krimit.

Postimi i plotë:

Me rrënjët te lufta çlirimtare dhe te lëvizjet e rezistenca e popullit tonë për liri, Policia e Kosovës është një prej institucioneve shtetërore, pa të cilën nuk mund të ketë pavarësi e drejtësi.

Në 22 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, nderojmë punën e 9180 zyrtarëve policorë, gra dhe burra që i shërbejnë atdheut dhe përpjekjes së Kosovës për një Republikë demokratike e sovrane, ku mbretëron ligji.

Kujtojmë sot e përherë policët që me ndjenjën e lartë të detyrës e të patriotizmit ranë për një Kosovë të lirë e demokratike, shtet të së drejtës për të gjithë.

Qeveria do të ofrojë mbështetjen e pakursyer në misionin e përbashkët për të luftuar krimin dhe për ta bërë Kosovën një vend më të sigurt dhe më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës sonë.

Njohësi i çështjeve politike: Heshtja e Kurtit para dhjetra viktimave të COVID-19, është shurdhuese