Lajme

Kurti në Kuvendin e Shqipërisë: Duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit, jo për të penguar, por për të kontribuar

11/27/2022 12:02
nga:Astrit Gashi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur fjalimin e tij në seancën e përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.

Në fillim ai i ka uruar festën e flamurit të gjithë shqiptarëve.

“Gëzuar 28 nëntorin historik të Skënderbeut në Krujë, të Ismail Qemalit në Vlorë e Adem Jasharit në Prekaz”, tha ai.

Ai u shpreh se duhet të gëzohemi kur përfshihemi, sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit.

“Duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit, jo për të penguar, por për të kontribuar. Hapësira jonë publike, politika, kultura e ekonomia, nuk janë çifligje të bllokuara me tapi, por e përbashkëta, kalaja ku e vëmë të gjithë nga një gurë”, tha ai.

Kurti, tutje tha se duhet të jemi më shpesh bashkë dhe jo vetëm në kremte.

“Na duhet të jemi më shpesh bashkë dhe jo vetëm në kremte, jo vetëm ne politikanë, na duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri-tjerin, t’i pranojmë kritikat njëri-tjetrit, pra të punojmë së bashku”, u shpreh tutje ai.

Më pas Kurti, citoi disa fjalë të Luigj Gurakuqit.

“Disa ditë para festës së flamurit, Gurakuqi që kërkonte bashkim kundër çdo copëtimi shkruante ‘e kremtja e 28 nëntorit duhet të jetë jo vetëm një ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën e mbledhim mendjen e të bëjmë shqyrtimin e vetëdijes sonë. Në këtë ditë duhet të vëmë të gjithë dorën në zemër e të pyesim vetën në e kemi bërë gjithëkund e gjithmonë detyrën që e kkishim për atdheut. T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet tona, të harrojmë hidhnimet e armiqësitë që na ndajnë, t’i japim vllaznisht dorën njëri-tjetrit e të betohemi mbi besën e gjyshave tanë që sot e mbrapa do të përpiqemi me të vërtetë për të mirën e atdheut, për lulëzimin e kombit, për nderin e flamurit tonë’. Mbaron citati”, tha ai.