Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, mori pjesë në mbledhjen komemorative për poetin Rushit Ramabaja, që u mbajt në hapësirat e Teatrit Kombëtar, në objektin e Pallatit të Rinisë.
Fillimisht, Kurti bëri homazhe pranë arkivolit të të ndjerit.
Në fjalën hyrëse, tha se largimi nga jeta i Rushit Ramabajës, në moshën 77-vjeçare, na prek thellë, sepse me të humbim jo vetëm një poet, gazetar dhe publicist të shquar, por një zë të rrallë intelektual që për dekada i qëndroi besnik fjalës së shkruar.
“Largimi i Rushit Ramabajës na pikëllon, sepse me të humbim edhe një ndërgjegje të ndjeshme dhe një mendje të angazhuar të kulturës sonë dhe të socio politikës sonë. Rushit Ramabaja ishte prej atyre intelektualëve që nuk e shihnin fjalën si zbukurim, por si përgjegjësi. Ai shkroi jo për të qenë i zhurmshëm, por për të qenë i vërtetë”, tha Kurti, duke shtuar se në mbi 20 vepra të tij letrare me poezi, prozë dhe publicistikë, gjejmë shqetësimin e njeriut që nuk pajtohet me harresën, gjejmë dhimbjen e historisë, por edhe shpresën se fjala mund të mbajë gjallë atë që rrezikon të humbasë.


