Lajme

Kurti kujton sulmet e 11 shtatorit: SHBA-të dëshmuan se asnjë akt terrori nuk ndryshon karakterin e kombit amerikan!

09/11/2022 10:17
nga:Y I

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar sulmet e 11 shtatorit mbi kullat binjake ndodhur 21 vite më parë, raporton Gazeta Blic.

Kurti kujton se Kosova kishte pak vite që ishte çliruar dhe nga ajo ngjarja kishte një sërë ndjenjash të përziera mes frikës, zemërimit dhe pafuqisë për t’i dalë në ndihmë vendit që na ndali gjenocidin.

“Amerika po sulmohej! Një vrull ndjenjash të përziera mes frikës, zemërimit dhe pafuqisë për t’i dalë në ndihmë vendit që ndali gjenocidin dhe na ndihmoi të fitonim lirinë, përcillnin pamjet apokaliptike të rrëzimit të rrokaqiejve binjakë në New York dhe të shkatërrimit të një pjese të Pentagonit, në afërsi të kryeqytetit amerikan, Washington, D.C” shkruan Kurti.

Tutje ai thekson se ata që sulmuan, shpresuan që përmes frikës dhe terrorit ta dobësonin Amerikën, por ShBA-të qëndruan këmbëngulëse dhe dëshmuan se asnjë akt terrori nuk ndryshon karakterin e kombit amerikan.

Postimi i plotë:

Pak më shumë se dy vjet kishin kaluar nga çlirimi i Kosovës. Ende nuk i kishim pastruar mirë rrënojat e luftës dhe aroma e shkrumbit akoma ndjehej nga shtëpitë e djegura.
Amerika po sulmohej! Një vrull ndjenjash të përziera mes frikës, zemërimit dhe pafuqisë për t’i dalë në ndihmë vendit që ndali gjenocidin dhe na ndihmoi të fitonim lirinë, përcillnin pamjet apokaliptike të rrëzimit të rrokaqiejve binjakë në New York dhe të shkatërrimit të një pjese të Pentagonit, në afërsi të kryeqytetit amerikan, Washington, D.C.

Pavarësisht se sa vite kalojnë, mjafton të përmendim datën 11 shtator dhe ne kthehemi mënjëherë në atë ditë të errët.
Sot kujtojmë për të mos i harruar kurrë gati 3 mijë jetë të bukura, nga më shumë se 90 shtete, që u morën mizorisht.

Ata që sulmuan shpresuan që përmes frikës dhe terrorit ta dobësonin, por ShBA-të qëndruan këmbëngulëse dhe dëshmuan se asnjë akt terrori nuk ndryshon karakterin e kombit amerikan të themeluar mbi besimin se të gjithë janë të krijuar të lirë dhe të barabartë.

Ne sot bashkëndjejmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe së bashku do të sigurohemi që terrorizmi dhe ligësia nuk do të triumfojnë kurrë.

21 vjet nga sulmet e 11 shtatorit në ShBA