Lajme

“Kurti ka sjellë marrëveshjen më të dëmshme që nga fillimi i dialogut, me Asociacionin po mundohet t’i manipulojë qytetarët”

03/13/2023 13:32
nga:Genita C

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, vlerësoi që kryeministri, Albin Kurti, i ka sjellë Kosovës marrëveshjen më të dëmshme në tavolinë, që nga fillimi i negociatave me Serbinë.

Tahiri këto deklarata i dha pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën, derisa shtoi që Kurti tanimë po mundohet t’i manipulojë qytetarët me çështjen e Asociacionit.

“Konsiderojmë që Albin Kurti, pas dy viteve negociata, pas dy viteve dialog, i ka sjellë Kosovës në tavolinë një marrëveshje jashtëzakonisht të dëmshme dhe të pamjaftueshme për ambiciet e saj. Kjo është marrëveshja më e dëmshme që kur kanë filluar negociatat me Serbinë. Kurti po mundohet që me çështjen e Asociacionit t’i manipulojë qytetarët. Ky pushtet ka dështuar në shumë hallka”, deklaroi Tahiri në një prononcim për medie.

E lidhur me takimin e 18 marsit në Ohër, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza-Kusari-Lila, ka thënë se pala kosovare do të jetë më konstruktive, pasi sipas saj, ka deklarata dekurajuese nga ana e presidentit serb për takimin.