Lajme

Kurti e pranon: Ka një iniciativë franko-gjermane

10/10/2022 16:40
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se ka një iniciativë franko-gjermane e cila dëshiron t’i jap më shumë fuqi Miroslav Lajçak, por sipas tij nuk ka diçka përfundimtare e aq më pak vendimtare që do të mund të thuhet se ky është propozimi franko-gjerman lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Ai tha se në takimin e 18 gushtit në Bruksel ka prezantuar një kornizë të përgjithshme të dialogut.

Këto komente Kurti i bëri nga Gjilani pas takimi që zhvilloi me kryetarin e kësaj komune, Alban Hyseni.

“Unë kam propozuar kornizën e përgjithshme të dialogut, ka një iniciativë franko-gjermane e cila dëshiron që t’i jap edhe më shumë fuqi zotit Lajçak, sikurse i jep edhe mbështetja e vazhdueshme amerikane. Diskutohen modele të ndryshme por nuk ka diçka përfundimtare e aq më pak vendimtare që do të mund të thuhej se ky është propozimi fanko-gjerman dhe rrjedhimisht diskutojeni tash e jepni vërejtjet. Më shumë ka si të them ide që qarkullojnë Berlin, Bruskel, Washington, por edhe Londër, Romë, Paris, Beograd dhe Prishtinë. Unë kam zotim të plotë për transparencë për procesin, por është edhe konfidencialiteti i bisedimeve paralelisht me transparencën e procesit, dhe të gjitha idetë me të cilën shpeshherë ne testohemi nga zyrtarë dhe diplomatë të ndryshmit nuk mund t’i hedhim në opinion. Pra duhet diçka të ngurtësohet që të publikohet, përderisa është le të themi në gjendje të lëngshme nuk është korrekte nga ana ime që ta publikoj. Pas ngurtësimit vjen publikimi”, tha ai.