Lajme

Kurti: Barrikadat në Veri do të hiqen brenda disa ditëve

12/27/2022 00:50
nga:Astrit Gashi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,në një intervistë të gjatë dhënë mediumit boshnjak, Istraga.ba,ka deklaruar se heqja e barrikadave në veri nuk është cështje javësh apo muajsh, por është cështje ditësh, duke shtuar se nëse KFOR-i nuk i heq barrikadat, atëherë këtë do ta bëjë Policia e Kosovës, përcjellë GazetaBlic.

“Ne kemi policinë tonë në veri, e cila tani është më e pranishme se sa më parë. Por ne kemi edhe njëmbëdhjetë barrikada. Këto barrikada ishin episodi i dytë i episodit të parë, që ishte se serbët nga veriu morën urdhër nga Beogradi që të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës”, ka thënë ai.

Duke folur për barrikadat, Kurti ka thënë se po përsëriten gabimet e viteve të ’90-a.

“Ata nuk janë krijues. Ata nuk dinë gjë tjetër veçse të përsërisin gabimet e viteve nëntëdhjetë kur ndërtuan barrikada në Bosnje dhe Kroaci. Pra, në një farë mënyre dinë vetëm të përsëriten. Unë mendoj se ata do të dështojnë”, ka thënë Kurti.

I pyetur rreth deklaratës së dërguarit të administratës amerikane në Ballkan, Gabriel Escobar, se “nuk do të lejojë që Kosova të kërcënojë Serbinë dhe se a është kjo deklaratë e tij e mbështetur mbi fakte, Kurti tha se “pajtohet me shumë gjëra që thotë Escobari, por se ka gjëra, për të cilat nuk pajtohet me të.

“Për shembull, ne kemi konstatuar se kemi mendime të ndryshme në lidhje me projektet e Open Balkans. Dhe nga ana tjetër, mendoj se ai Escobari dëshiron të mirën për Serbinë. Ai i dëshiron të mirën edhe Kosovës. Ai i uron të mbarë rajonit tonë. Por zoti Escobar mendon se diplomacia, me sjellje jashtëzakonisht të mira ndaj Beogradit, do t’i kthehet për të mirë. Por ne që jetojmë këtu e dimë që nuk është kështu. Sepse Beogradi, duke mos qenë demokratik, vetëm sa përforcon pikëpamjen se bujarinë tonë e kuptojnë si frikë ndaj tyre”, përcjellë GazetaBlic.