Lajme

Kurti: 34 vjet më parë shqiptarët në Kosovë e Shqipëri, hynë në faza të reja për të ardhmen politike

07/02/2024 18:53
nga:Sh R

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se më 2 korrik të vitit 1990, shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë bënë lëvizje e cila hapi faza të reja politike për ta.

Ai këtë e ka thënë duke kujtuar miratimin e Deklaratës Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës, me të cilën Kosova ishte shpallur subjekt i barabartë në Jugosllavi, si dhe nisjen e kundërshtimit të regjimit komunist në Shqipëri.

Kurti ka thënë se deklarata e 2 korrikut ishte shprehje e vullnetit politik për të qenë të barabartë.

“Deklarata e 2 korrikut 1990, ishte një akt i artikulimit të vullnetit politik të shqiptarëve të Kosovës, me anë të të cilit shprehej vullneti për të qenë të barabartë, e jo më poshtë se njësitë e tjera federative në Jugosllavi, dhe, për të mos iu nënshtruar pushtetit arbitrar dhe hegjemon të Serbisë që tashmë kishte paralajmëruar gjenocidet ndaj joserbëve. Me guximin dhe vendosmërinë e treguar atë ditë, delegatët e Kuvendit të Kosovës bënë një akt rezistence karshi pushtetit të Beogradit dhe një akt politik afirmativ e të përgjegjshëm për popullin e tyre që e përfaqësonin”, ka shkruar Kurti.

Ai ka kujtuar se të njëjtën ditë më 2 korrik 1990, mijëra shqiptarë të Shqipërisë u futën në oborret e ambasadave të huaja e më pas largimi i pesë mijë qytetarëve nga atje, e që sipas Kurti ishte fillimi i kundërshtimit të regjimit komunist.

“Kjo ishte goditja e parë e fortë ndaj regjimit komunist në Shqipëri, në një seri goditjesh dhe revoltash që do të pasonin në përpjekjen e popullit shqiptar për ta shembur regjimin komunist të Enver Hoxhës të trashëguar nga Ramiz Alia. Ishte koha kur pas rënies së Murit të Berlinit, regjimet komuniste po binin në Evropën Lindore njëri pas tjetrit dhe kur Shqipëria ishte një nga vendet më të varfëra dhe më të izoluara në botë”, ka shkruar Kurti ndër të tjera.