Lajme

Kthehet Njësia Speciale nga veriu

01/16/2022 19:57
nga:Gazeta Blic

Një numër i madh i automjeteve të Njësisë Speciale janë parë duke u kthyer nga veriu, pas polemikave për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë. Për këtë, kuvendi dje miratoi një rezolutë për ndalimin e mbajtjes së tij edhe në Kosovë, ndërsa Policia e Kosovës tha se situata vlerësohet të ketë kaluar e qetë dhe pa incidente.

Situata vlerësohet se ka kaluar e qetë dhe pa incidente, përjashtuar mbajtja e disa tubimeve dhe marshimeve në lokacione/qytete të ndryshme, në cilësi të shprehjes së pakënaqësisë ndaj moslejimit të mbajtjes së referendumit në Kosovë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kujtojmë se dje, me 76 vota pro dhe një abstenim, është miratuar një rezolutë të harmonizuar në mes partive politike për mosmbajtjen e referendumit, përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve që një gjë e tillë të lejohej.

Sot gjatë ditës, Serbia ka mbajtur referendum për ndryshimet kushtetuese për gjyqësorin, që është kusht për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Siç kanë shpjeguar vazhdimisht përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të Kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundim të ligjit.

Nëse ndryshimet miratohen, sipas autoriteteve të Serbisë, politika do të përjashtohet nga zgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve.