Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, në një prononcim për Gazeta Blic, ka komentuar kthimin në Kuvend të Ligjit për Specialen nga presidentja, duke shprehur qëndrimin e tij se ligji është dashur të nënshkruhet dhe të procedohet për publikim në Gazetën Zyrtare.
Kryeziu ka theksuar se presidentja ka të drejtë kushtetuese që ta kthejë ligjin për rishqyrtim në Kuvend vetëm një herë, nëse e vlerëson të arsyeshme.
Ai ka sqaruar se, në rast se ligji amandamentohet, ai duhet të votohet në Kuvend, ku kërkohet kuorumi prej 61 deputetësh, ndërsa për miratimin e tij mund të mjaftojnë 31 vota.
Sipas Kryeziut, Kuvendi është organi i vetëm legjitim që nxjerr ligje, ndërsa Qeveria ka për detyrë kushtetuese zbatimin e tyre. Ai ka shtuar se, nëse ligji nuk është vetëekzekutues, duhet të nxirren aktet nënligjore përkatëse nga Ministria e Drejtësisë ose Kabineti Qeveritar.
Megjithatë, ish-gjyqtari ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj vendimit për kthimin e ligjit në Kuvend, duke paralajmëruar se një veprim i tillë mund të sjellë pasoja të pariparueshme ose të rrezikojë dështimin e tij.
“Sipas mendimit tim, ligji nuk është dashur të kthehet edhe një herë në Parlament, sepse kjo mund të sjellë pasoja të pariparueshme apo të dështojë. Presidentja ka pasur obligim kushtetues ta nënshkruajë ligjin, në mënyrë që ai të publikohet në Gazetën Zyrtare dhe të hyjë në fuqi, për të treguar sovranitetin shtetëror dhe kombëtar!”, ka deklaruar Kryeziu./GazetaBlic


