Lajme

Kryeziu: Kemi patur ndryshim të pushteteve, po jo politikave, kjo Qeveri ka shumë stagnime!

09/22/2023 21:40
nga:Y I

Drejtori Ekzektuiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, i ftuar në Blic Interview me Astrit Gashin ka folur në lidhje me zhvillimet  politike në vend.

Kryeziu tha se vitin e fundit Kosova ka mbetur ‘peng’ i politikave të cilat kanë të bëjnë me përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ai tha se megjithëse ka patur një ndryshim të pushteteve kjo nuk ka prodhuar një ndryshim të politikave.

“Në vitin e fundit ne kemi mbet peng të politikave të cilat kanë të bëjnë me përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë, si kusht të formimit të asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ne vazhdojmë të mbesim në atë pozicion e cila besoj që e ndikon edhe politikën ditore, zhvillimin ekonomik por edhe zhvillimin e mirëqenies qytetare në Kosovë gjatë kësaj periudhe”

“Realisht kemi patur një ndryshim të pushteteve por kjo nuk ka prodhuar ndryshim të politikave, s’ka prodhuar ndryshim të një qeverisjeje ndryshe konsideroj në shumë aspekte. Njerëzit ishin të lodhur me një qeverisje pothuajse gati 20 vite dhe ishin me shpresë të orientuar drejt dy platformave politike atëherë të prezantuara nga tani presidentja Osmani dhe nga Albin Kurti. Konsideroj që edhe në Qeverisje edhe në aspektin e brendshëm por edhe në aspektin e marrdhënieve diplomatike apo të jashtëm të performancës së Kosovës mendoj se ka shumë stagnime dhe nuk është paraqitur një ‘shkollë’ ndryshe e qeverisjes nga këto dy subjekte politike që përbëjnë shumicën”

I pyetur nga gazetari Gashi se në cilat pikat po ngjason më shumë me vazhdimësi se sa me ndryshim kjo Qeverisje, Kryeziu pati këtë përgjigje.

“Duke filluar nga tentativat për të kapur pushteti edhe segmentet e pavarura të shtetit,orientimi politik i emërimit të zyrtarëve të lartë nëpër institucionet e pavarura, në bordet e ndryshme i partizanëve partiakë, përfshirja e zyrtarëve të lartë në afera korruptive të cilat ndoshta ende nuk janë të dëshmuara por gjithsesi janë të përfolura si dhe gjithashtu në aspektin e marrdhënieve me jashtë. Besoj se këto janë ngecjet kryesore që i shohim si elementë edhe të kësaj qeverisjeje”

Kryeziu tregon pritshmëritë që ka patur nga Qeveria Kurti.

“Unë mendoj që sidomos në emërime, orientime dhe në politika, kam menduar se kjo Qeverisje do të ketë integritet më të lartë, do të ketë qeverisje me integritet dhe do të ketë përgjegjësi publike në raport me kritikën publike. Unë besoj se kjo Qeveri nuk ka prodhuar këtë element të ri për dallim nga qeverisjet e tjera . Mendoj se është treguar abuzuese edhe jo respektuese ndaj elektoratit dhe ndaj votuesve siç kanë treguar fatkeqësisht edhe qeveritë paraprake të cilat para dy viteve e morën rezultatin për shkak të po kësaj sjelljeje që sot e kemi edhe nga kjo Qeveri”

“Kjo qeverisje nuk e ka luftuar korrupsionin sikur ne duam, pavarësisht disa iniciativave për reformë në drejtësi, disa ligjeve të cilat i ka konsideruar si prioritet në luftën kundër korrupsionit ne ende se kemi një strategji kombëtare në luftë kundër korrupsionit. Po bëhet 2-3 vite thuajse kur kjo Qeveri ka ardhur në pushtet. Gjithashtu kemi ‘jakat e bardha’ të cilët pavarësisht epilogut që do ta merrnin sot vazhdojnë me ushtru detyrat e tyre pavarësisht skandaleve publike të cilat kanë dalë ne media që kanë pësuar nga ministra të caktuar” tha Kryeziu në Blic Interview raporton Gazeta Blic.

Intervista e plotë: