Lajme

Kryeziu i KDI-së: Sjellja shtetërore, politike dhe diskursi publik ndaj veteranëve është në nivelin më të ulët të mundshëm

06/16/2022 22:57
nga:Genita C

Sjellja shtetërore, politike dhe diskursi publik ndaj veteranëve prej kohësh ka rënë në nivelin më të ulët të mundshëm, ka marrë karakter ofendues dhe abuziv me këtë kategori të shoqërisë, kështu ka thënë kreu i KDI-së, Ismet Kryeziu, raporton GazetaBlic.

Ai përmes një shkrimi në “Facebook” tha se ofendimi ndaj veteranëve është i papranueshëm dhe gjithë përgjegjësinë e ka shteti.

“Të ofendosh veteranët si të vërtetë dhe të rremë, mercenarë e lloj-lloj epitetesh, apo të argumentosh se nuk mund t’jua japim këtë vlerë rrogash etj.. pse ndonjëri prej tyre e ka marrë këtë status pa meritë? Ky nuk është problem i veteranëve, por përgjegjësi e shtetit për ta trajtuar dhe adresuar këtë çështje”, shkroi ai.

Kryeziu mori një shembull epik me situatën e fundit në lidhje me veteranët e UÇK-së

“Kjo i bie me një krahasim sa të thjeshtë dhe banal, sikur një shofer i papërgjegjshëm bën një ndeshje në trafik ?! As ne, as qeveria dhe askush nuk mund t’a ndalojmë të gjithë qarkullimin as nuk mund të denojmë, ofendojmë e poshtërojmë të gjithë shoferët”, përfundon Kryeziu.