Lajme

Kryetari i Zubin Potokut nuk del as sot në zyrën komunale, fton serbët t’i bashkohen ekipit të tij

06/02/2023 11:05
nga:Astrit Gashi

Kryetari i ri i Komunës së Zubin Potokut në Mitrovicë, Izmir Zeqiri edhe sot ka vazhduar punën e tij në zyrën për komunitete në fshatin Çabër.

Ai në një prononcim për Radio Evropën e Lirë, ka treguar arsyen se pse nuk po punon në ndërtesën e komunës, atje edhe ku do të duhej të ishte.

Sipas tij, për shkak të situatës së krijuar atje, dhe për shkak të kushteve jo të përshtatshme të punës, detyrohet që të punojë në zyrën për komunitete.

“Unë kam mundur, mundem edhe prapë me shku, mirëpo kushtet e punës nuk janë. Ne i shfrytëzojmë kushtet e punës në këtë zyrë për t’u konsoliduar sa më mirë. I kemi disa kushte të punës që po i shfrytëzojmë prej këtyre zyrave komunale. Kështuqë nuk do të thotë ajo që nuk do të shkojë në ndërtesën e komunës”, ka thënë Zeqiri.

Ndër të tjera, Zeqiri derisa ka treguar se është duke e formuar kabinetin e tij, u ka bërë ftesë serbëve për bashkëpunim, duke thënë se ka vend për të gjithë në administratën e komunës.

“Ejani të bashkëpunojmë. Keni hisen tuaj në të gjithë administratën e komunës. Ka vende për të gjithë”, ka thënë ndër të tjera ai.