Lajme

Krstic: Nëse pretendojmë se kemi shtet demokratik, s’duhet të rrezikohet asnjë komunitet me vendime jotransparente

02/20/2024 19:49
nga:Y I

Gazetari dhe analisti serb që jeton në veri të Mitrovicës, Branislav Krstic, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me deklaratat e ndërkombëtareve drejtuar Kosovës për shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së dhe paralajmërimet e O’Brien dhe Hovenier.

Krstic tha se beson se autoritetet në Prishtinë do t’i marrin seriozisht mesazhet e zyrtarëve të lartë të administratës amerikane në lidhje me vendimin e BQK-së.

Ai tha se zgjidhja duhet kërkuar në dialogun dhe marrëveshjen e ekipeve teknike.

“Unë sinqerisht besoj se autoritetet në Prishtinë do t’i marrin seriozisht mesazhet e zyrtarëve më të lartë të administratës amerikane dhe në këtë mënyrë do të shmangin masat ndëshkuese ndaj autoriteteve në Kosovë.Përkatësisht, Marrëveshja e Brukselit parasheh që me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të zgjidhen të gjitha rastet e mbetura të pazgjidhura të ekzistimit të institucioneve paralele dhe përdorimit të famshëm të dinarëve.Zgjidhja duhet kërkuar në dialogun dhe marrëveshjen e ekipeve teknike” deklaroi Krstic për “Gazeta Blic”.

Ai tutje tha se nëse pretendojmë se kemi shtet demokratik, atëherë nuk duhet të rrezikohet asnjë komunitet në Kosovë me vendime të njëanshme dhe jotransparente.

“Nëse pretendojmë se kemi shtet demokratik, atëherë nuk duhet të rrezikojmë asnjë komunitet në Kosovë me vendime të njëanshme dhe jotransparente.Vendimi pa konsultim dhe koordinim me partnerët çoi në një përshkallëzim të ri të pakënaqësisë tek qytetarët e prekur nga një vendim i tillë. Mungesa e transparencës në marrjen e një vendimi të njëanshëm shqetësoi edhe autoritetet ndërkombëtare” deklaroi Krstic për “Gazeta Blic”.

Në lidhje me deklaratën e Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit O’Brien është deklaruar edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Konjufca ka thënë se deklarata e O’Brien ishte shqetësuese, por sipas tij “partneriteti është mos me u befasu”.

“Ajo ishte shqetësuese. Nuk ka çka me interpretu aty. Ne dëshirojmë që të trajtohemi me partneritet nga ana e Kosovës. Tash aty munden me e interpretu sepse z. O’Brien po konsideron që me e ndalë dinarin në Kosovë është mu prishë partneriteti me SHBA-në. Tash na duhet me shtru pyetjen se pse qenka kjo. Pse pe prishka relacionin e Kosovës me SHBA-në?”, deklaroi Konjufca raporton “Gazeta Blic”

/Gazeta Blic/

Kelmendi: Partneriteti me SHBA-të nuk duhet të preket nga qeveria e Albin Kurtit!

Spahiu: Deklarata e O’Brien, shqetësuese, për çështjen e dinarit s’pati asnjë analizë përpara!

Konjufca e pranon që dinari i ka acaruar raportet me amerikanët: Deklarata e O’Brien shqetësuese, e dimë pse janë “idhnu”