Me datën 1 shkurt ka hyrë në fuqi rregullorja e re e BQK-së e cila ndalon përdorimin e dinarit në Kosovë.
Kjo ka sjellë një reagim të ashpër ndërkombëtar të cilët kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi.
Së fundmi ishte Ndihmë Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, i cili tha ‘se mund të rrezikohet partneriteti me Kosovën’.
E nga partia në pushtet si duket tashmë e kanë pranuar se deklarata e O’Brien ka qenë shqetësuese.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se deklarata e O’Brien ishte shqetësuese, por sipas tij “partneriteti është mos me u befasu”.
“Ajo ishte shqetësuese. Nuk ka çka me interpretu aty. Ne dëshirojmë që të trajtohemi me partneritet nga ana e Kosovës. Tash aty munden me e interpretu sepse z. O’Brien po konsideron që me e ndalë dinarin në Kosovë është mu prishë partneriteti me SHBA-në. Tash na duhet me shtru pyetjen se pse qenka kjo. Pse pe prishka relacionin e Kosovës me SHBA-në?”, deklaroi Konjufca raporton “Gazeta Blic”.
E shumë shqetësuese, deklaratën e O’Brien, po e vlerëson edhe edhe profesori universitar, Nexhmedin Spahiu.
Spahiu tha për “Gazeta Blic” se ende nuk dihet nëse në lidhje me këtë çështje është bërë një analizë përpara.
“Deklaratat e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, janë shumë shqetësuese, por varet sa rrezikohet interesi i Kosovës nëse vazhdon me dinarin dhe sa rrezikohet prishja e raporteve me amerikanët, sa serioze janë kërcënimet e tilla. Kështu që nuk e di nëse dikush në Qeveri, opozitë, shoqërinë civile ose institucionet ekonomike ka bërë një kalkulim se cili është ndryshimi, sa po dëmtohet Kosova me dinarin, sa do të përfitonte nëse e qonte deri në fund dhe cila është shkalla e rrezikshmërisë”
“Çdo projekt që bëhet i bëhet analiza përpara dhe ne nuk po shohim asnjë analizë. Këtë analizë nuk po e shohim që po e bën dikush edhe duhet të bëhet. Pse e kemi fakultetin ekonomik, çfarë janë institutet që merren me ekonomi, pse nuk e bëjnë këtë kalkulim. Pastaj njerëzit që merren me rrezikshmërinë që paraqet një ftohje e raporteve me SHBA-në, deri ku shkon, sa ja vlen ajo” deklaroi Spahiu në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic”

Nexhmedin Spahiu, Profesor!


