Lajme

Kritikohet vendimi për shkyçjen e bizneseve dhe liberalizimin e energjisë

08/17/2025 16:03
nga:Genita C

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka kërkuar që të gjitha bizneset të nënshkruajnë kontrata komerciale me furnizuesit e licencuar, duke paralajmëruar se ato që nuk e bëjnë këtë do të mbesin pa energji elektrike.

Ky vendim ka shkaktuar reagime të fuqishme, ku njohësit e ekonomisë dhe politikanët shprehin shqetësim mbi pasojat që mund të ketë për ekonominë.

Njohësi i ekonomisë, Arton Muhaxheri, theksoi se bizneset nuk janë kundër liberalizimit të tregut të energjisë, por kundërshtojnë mënyrën se si po zbatohet ky proces.

Ai theksoi: “Asnjë biznes nuk është kundër liberalizimit të tregut të energjisë. Por, ajo që kundërshtohet me të drejtë është mënyra se si po implementohet ky proces: me nguti, pa transparencë dhe pa faza tranzicionale që do të siguronin kalim të qetë dhe të drejtë në tregun e lirë.”

Muhaxheri paralajmëroi se një vendim i tillë do të kishte pasoja serioze, jo vetëm për bizneset, por për gjithë ekonominë, duke shkaktuar kolaps në zinxhirin e prodhimit dhe duke rrezikuar punësimin.

Në anën tjetër, deputeti Ferat Shala nga Partia Demokratike e Kosovës, e konsideroi këtë vendim si goditjen më të rëndë që i bëhet sektorit privat nga qeveria.

Ai shtoi se ky vendim mund të çojë në pabarazi në treg dhe të ketë pasoja të mëdha për zhvillimin ekonomik të vendit.

Shala gjithashtu theksoi se ky proces po ndodh në kushte të papërgatitura dhe me rrezik për uljen e prodhimit vendor dhe rritjen e importeve.

“Definitivisht vendimi për shkyqje të bizneseve nga furnizimi është goditja më e rëndë që u bëhet bizneseve të sektorit privat, nga shteti – qeveria Kurti”, tha ai.

“Reflektimi do të jetë i rëndë e me pasoja të mëdha dhe do të reflektojë në moszhvillim, në humbje të vendeve të punës, do të krijojë pabarazi në treg. Poashtu rrezikojmë shumë që të ulim prodhimin vendor e të rriten importet. Dalja e bizneseve në treg të lirë të furnizimit të energjisë po bëhet në kushte dhe rrethana të papërgaditura dhe jomeritore e joligjore”, përfundoi Shala./GazetaBlic/

Bajrami: Sot po merr formë politika shkatërruese e Kurtit, qytetarët po paguajnë për mafinë energjetike