Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka akuzuar sot vendet europiane se po pengojnë përpjekjet për arritjen e paqes në Ukrainë, duke refuzuar negociatat dypalëshe me Rusinë dhe duke kërkuar përfshirjen e trupave europiane në një marrëveshje të mundshme.
Në një intervistë për televizionin shtetëror në Bjellorusi, aleate e Moskës, Peskov tha se deklaratat e vendeve europiane nuk po ndihmojnë procesin e negociatave, i cili aktualisht drejtohet nga Shtetet e Bashkuara dhe përfshin përfaqësues të Rusisë dhe Ukrainës, raporton Reuters.
Ai kundërshtoi veçanërisht propozimin për vendosjen e një kontingjenti ushtarak europian në Ukrainë, në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
“Pikërisht kjo është arsyeja pse nisi operacioni special ushtarak”, citohet të ketë thënë Peskov, duke përdorur terminologjinë e Kremlinit për pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022.
Sipas tij, europianët kërkojnë të përfshihen në negociata, por njëkohësisht mbështesin masa që, sipas Moskës, do të çonin në vazhdimin e luftës.
Peskov tha gjithashtu se Moska kishte marrë vetëm të dielën njoftimin se vendet europiane nuk dëshironin të zhvillonin bisedime dypalëshe me Rusinë, por kërkonin një format trepalësh.
Rusia e ka kundërshtuar vazhdimisht mundësinë e vendosjes së forcave europiane në territorin ukrainas si pjesë e një marrëveshjeje.
Pas raundit të fundit të bisedimeve trepalëshe, të zhvilluar në fillim të këtij muaji, i pari që prej shkurtit, negociatori amerikan Steve Witkoff deklaroi se Rusia kishte rënë dakord që përfaqësuesit europianë të merrnin pjesë në takimet e ardhshme.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mirëpriti përfshirjen e Europës, ndërsa Moska deklaroi se pjesëmarrja e saj do të varej nga propozimet që do të sillnin vendet europiane në tryezën e negociatave.

