Lajme

Krasniqi uron vitin e ri shkollor, kritikon Qeverinë për tekstet

09/01/2023 12:04
nga:N K

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka uruar të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor, raporton Gaeta Blic.

Ai përmes një postimi në facebook ka uruar veçanërisht nxënësit që ulen për herë të parë në bankat shkollore.

“Urime fillimi i këtij viti të ri shkollor për të gjithë ju! Kjo ditë e veçantë dhe emocionuese, posaçërisht për ju që po e nisni këtë rrugëtim për herë të parë, qoftë një fillim i sukseseve të njëpasnjëshme në jetën tuaj”, ka shkruar Krasniqi.

Krasniqi mes tjerash ka fajsuar dhe Qeverinë për mos sigurimin e teksteve shkollore, duke e cilësuar si dështim.

“I kuptoj shqetësimet tuaja si prindër se kjo aventurë e jashtëzakonshme për fëmijët tuaj, u shoqërua me zhgënjime të mëdha si pasojë e dështimit të Qeverisë për të siguruar librat për të gjithë nxënësit me kohë dhe në mënyrën e duhur. Por, ky dështim le të mbetet në ndërgjegjen e Qeverisë, para se të bëhet pengesë për ëndrrat e fëmijëve tanë”, ka thënë kryetari i PDK-së.