Lajme

Krasniqi për rastin e Mujecit: VV e përjashtoi nga partia por jo edhe Krasniqin e Berishajn, Kurti ka lidhje me krimin e tyre

08/16/2023 22:14
nga:G B

Frashër Krasniqi nga PSD, ka thënë se nga rasti i Besnik Mujecit, ku ai është arrestuar për drogë, janë kuptuar disa fakte shumë interesante, raporton Gazeta Blic.

Ai përmes një video të publikuar në Facebook, thotë se është interesant pse VV e përjashtoi menjëherë, ndërkohë që nuk ka vepruar njësoj me Nagip Krasniqin, Martin Berishajn, madje as Berat Lahun, i cili është dhëndër i Liburn Aliut, i cili ka qenë i përfshirë në aferën korruptive të Brezovicës, e të cilit i është pezulluar anëtarësia por nuk është përjashtuar.

Krasniqi ka thënë se ai u përjashtua pasi është më pak i rëndësishëm në VV, teksa shton se krimi i bërë nga Mujeci, i cili ende nuk është shpallur fajtor, nuk ka të bëjë domosdo me VV-në.

“Prandaj, Albin Kurti nuk e mbron atë, del e nxjerr menjëherë nga partia, pa u marrë vendimi nga gjykata, pasi ai është nën hetime, por Albin Kurti e nxjerr nga partia. Kjo shpërfaq se nëse VV dhe Albin Kurti nuk ka lidhje domosdo me krimin e tij, i bie që këta kanë lidhje bashkë me krimin e Martin Berishajt e të Nagip Krasniqit, pasi ata nuk i përjashtuan nga partia dhe i morën në mbrojtje tërë partia”, thotë Frashër Krasniqi.

Ai thotë se nëse shikohet nga sasia e krimit për të cilin akuzohen, më e rëndë është e Nagip Krasniqit e Martin Berishajt, se sa e Mujecit.

Sipas tij, kjo tregon se dy rastet e mëhershme kanë qenë më të rëndësishme dhe ata dy persona janë shumë të rëndësishëm për Kurtin, madje Albin Kurti ka dalë dhe e ka sharë sistemin e drejtësisë se pse po ia arreston ata njerëz, ndërsa që për Besnik Mujecin nuk e ka sharë sistemin, por ka kërkuar dënim maksimal./Gazeta Blic/