Lajme

Krasniqi për raportin e KE: Gjendja në vend është më e rëndë sesa që është pasqyruar

11/30/2023 13:04
nga:Sh R

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi në seancën e ka komentuar vlerësimin e Komisionit Evropian për Kosovën. Ajo thotë se gjendja në vend është më e rëndë se ajo që është e pasqyruar në të.

“Deri sa sot po diskutojmë për të gjeturat e këtij raporti, gjendja jonë është edhe me e rëndë se ajo që është e pasqyruar në të, kjo për faktin se kemi masa të vëna nga ana e BE-së për Kosovën dhe po ashtu për faktin e raporteve tona momentale me shtetet mike.

Konsideroi se është më e rënduar për faktin se nuk shohim asnjë angazhim të institucioneve tona me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve konkrete për të larguar masat e vendosura nga BE për Kosovën.

E siç e dimë masat e BE-së përfshijnë shumë të madhe monetare e cila ndikon drejtë për drejtë në të ardhmen e qytetarëve tanë.

Pra, Kosova vazhdon të mos angazhohet në avancimin e të ardhmes së saj evropiane që rrjedhimisht është e ardhme e qytetarëve tanë pavarësisht raporteve, kërkesave e udhëzimeve të miqve tanë”, tha ajo.

Krasniqi kritikoi Qeverinë për mosdeklarim pas publikimit të këtij raporti.

“Ndërsa u bënë tashmë 3 javë nga publikimi i raportit për vendin dhe nga ky kabinet qeveritar ende nuk kemi arritur të dëgjojmë ose shohim një qëndrim të tyre lidhur me këtë raport apo një ??.

Për dallim nga viti i kaluar kur menjëherë pas publikimit të tij kemi pas shumë deklarata e qëndrime se është raporti më i miri e më pozitiv i publikuar ndonjë herë, këtë vit kemi një heshtje, mbase janë lodhur nga leximi i shpejtë i vitit të kaluar, prandaj këtë vit po ju duhet më shumë kohë dhe po procesojnë më ngadalë me lexim të Raportit.

Siç e dimë Raporti për vendin është një dokument i përgatitur nga Komisioni Evropian dhe mbulon periudhën nga muaji qershor 2022 deri ne qershor 2023, ky raport bazohet në të dhënat nga një sërë burimesh, duke përfshirë kontributet nga qeveria e Kosovës dhe shtetet anëtare të BE-së, raportet e Parlamentit Evropian dhe informacionet nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare dhe joqeveritare.

Gjithashtu përfshin rezultatet e vlerësimeve dhe indekseve krahasuese të nxjerra nga palët e tjera të interesit, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit. E bazuar në këto të dhëna, në shumë fusha e nga shumë të gjetura, ky raport mund të quhet raporti i faktimit të regresit. Sepse kjo Qeveri e ky pushtet janë kampion për regres”.

Tutje, Krasniqi thotë se “këto të gjetura tregojnë se Kuvendi është shndërruar në një makineri vulosëse ku të gjitha çështjet më të rëndësishme për të cilat do të duhej të kishte debat, argumente e kundër argumente, kalojnë me procedura të përshpejtuara, pa diskutime, e pa votim elektronik, sepse kështu është mësuar kjo mazhorancë, të bëjë përpjekje për të mos lënë gjurmë për shkeljet e dëmet që po i bënë këtij vendi”.