Lajme

Krasniqi: Kurti çdo gjë e ka lidhur me dialogun që nga ardhja në pushtet – kur i ka punët keq kërkon dakordim me partnerët

05/06/2024 22:02
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në takimin me ambasadorët e QUINT-it, u tha atyre se nuk duhet t’i përziejnë procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE dhe dialogun me Serbinë, pasi janë të ndara dhe i bëjnë dëm njëra tjetrës.

Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, tha Kurti.

Ai shtoi se “neni 7 i Marrëveshjes Bazike nuk mund të nxirret nga pakoja e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit në Ohër dhe nuk duhet të vendoset si prioritet dhe në qendër”.

Lidhur me këtë, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Kurti që kur ka ardhur në pushtet çdo gjë e ka lidhur me dialogun, njohjet e çdo proces integrues.

“Kryeministri Kurti nga ardhja në pushtet e ka lidhur secilin proces integrues me çështjen e dialogut. Përfshirë edhe njohjet e reja, dialogu ka qenë në të kaluarën proces i ndarë dhe se nuk e ka penguar Kosovën as të anëtarësohet në mekanizma ndërkombëtarë e as të marrë njohje të reja, tani kjo qeveri gjithë politikën e jashtme e ka kanalizuar në dialog, kjo është e dëmshme për shtetin e Kosovës, çka nëse kurrë nuk na njeh Kosova, a duhet në stopojë Kosova?” thotë ajo.

Krasniqi vlerëson se ka nevojë për riformim të dialogut, teksa përmend deklaratën e Lajçak se me ndryshim të Qeverisë së Kosovës ka ndryshuar dhe qasje e Kosovës ndaj dialogut për marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Tani më shumë se kurrë ka nevojë për një reformim të thellë të dialogut, i kemi parë edhe qëndrimet e ndërmjetësuesit, ku i deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka potencuar se në vitin 2020 Kosova dhe Serbia kanë bërë përparim dhe janë dakorduar për disa nga elementet e Marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme që do ta përfundonte njëherë e përgjithmonë dialogun në mes të dy vendeve. Por, me ndryshimin e Qeverisë në Kosovë, sipas Lajçak, ka ndryshuar edhe “qasja e Kosovës ndaj bisedimeve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thekson deputetja për Gazeta Blic.

Ajo potencon se Kurti po kërkon të dakordohet me partnerët ndërkombëtarë kur po i ka punët keq, por që SHBA e BE kurrë s’kanë pasur qasje më kundërshtuese ndaj Kosovës se tani.

“Kurti, kur po i vijnë keq punët po tenton të dakordohet me partneret, ai me parterët duhet t’i bashkërendojë politikat, e jo të flasë kur nuk mund të ndryshohet situata në terren. SHBA e BE kurrë s’kanë pasur qasje më kundërshtuese për Kosovën se tani. Ai ka krijuar mosbesim të plotë tek partnerët kryesorë të Kosovës siç është SHBA-ja, jemi në masa nga BE-ja dhe Kurti nuk ka kohë të merret më Kosovën, po merret me zgjedhjet ne Maqedoninë Veriore, tani e kam parë që flet edhe për zgjedhjet në Gjermani, është bërë komentues dhe organizues i zgjedhjeve në secilin shtet që ka”, deklaron deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi./Gazeta Blic/

 

 

Kurti takon ambasadorët e QUINT-it, u kërkon mbështetjen në KiE