Lajme

Krasniqi i reagon Bajqinovcit: S’e ka idenë çfarë marrëveshje ka bërë shefi i tij – LDK e gatshme për zgjedhje

05/29/2024 13:55
nga:G B

Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se LDK dhe AAK po kanë frikë nga zgjedhjet, andaj nuk po e votojnë shpërbërjen e Kuvendit.

Lidhur me këtë, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se kjo parti është e gatshme për zgjedhje dhe partia që do ta udhëheq vendin.

“LDK është e gatshme për zgjedhje dhe do të jetë partia që do të udhëheq me vendin. Jemi duke punuar pa ndërprerë me qytetarë dhe takime në të gjitha anët e Kosovës e në diasporë. I kemi konsoliduar mirë të gjitha strukturat dhe kurdo që Kryeministri jep dorëheqje ne jemi të gatshëm për zgjedhje. Por, ne nuk bëhemi pjesë e darkave dhe marrëveshjeve që kanë bërë ata”, shprehet ajo.

Krasniqi thekson se janë të gatshëm ta largojnë vendin nga stagnimi që gjendet dhe ta çojnë vendin përpara në anëtarësim në BE dhe NATO.

“Jemi të gatshëm për zgjedhje dhe për të qeverisur mandatin e ardhshëm për ta larguar vendin nga ky stagnim dhe për të çuar përpara vizionin rugovist për anëtarësim në BE dhe NATO dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, potencon deputetja për Gazeta Blic.

Ajo ka komentuar edhe deklaratën e deputetit të VV-së, Mefail Bajqinovci, se LDK po krijon narrativën se PDK e VV kanë koalicion të fshehtë.

“Sa i përket deklaratës së deputetit në fjalë nuk kam koment sepse ai nuk e ka as idenë çfarë marrëveshje ka bërë shefi i tij, ai është i thirrur vetëm për deklarata kontraverse. Çështja e frikës është shumë e thjeshtë: Dorëheqje e Kryeministrit sepse ka dështuar në çdo sferë, pastaj shpërndarja Kuvendit dhe zgjedhje të jashtëzakonshme”, deklaron deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi./Gazeta Blic/

Bajqinovci: Opozita s’ka guxim për të shkuar në zgjedhje – s’ka koalicion me PDK-në, këtë narracion po e krijon LDK-ja