Lajme

Bajqinovci: Opozita s’ka guxim për të shkuar në zgjedhje – s’ka koalicion me PDK-në, këtë narracion po e krijon LDK-ja

05/29/2024 09:39
nga:G B

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se opozita nuk po e ka guximin që të shkojë në zgjedhje, derisa ato i ka kërkuar që 3 vite e gjysmë.

“LDK, PDK, AAK për tri vjet e gjysmë kanë deklaruar se kjo parti s’mund ta mbajë pushtetin, çdo qershor, çdo tre muaj, çdo gjashtë muaj, u bënë tri vjet e gjysmë duke thënë ata se qeveria duhet të bie. Kur erdhi puna që vendi duhet të shkojë në zgjedhje nuk patën guximin. Prandaj, ne nuk kemi kërkuar zgjedhje, kanë kërkuar ata por kur erdhi puna te shpërndarja e Kuvendit, nuk e patën guximin AAK dhe LDK”, thotë ai.

Duke folur për mundësinë e një koalicioni VV-PDK, deputeti shprehet se Kurti i ka ftuar në takim tri partitë opozitare dhe jo vetëm PDK-në, por që LDK është ajo që po e bën narracionin se këto dy parti mund të kenë koalicion.

“Kryeministri Kurti i ka ftuar tri partitë opozitare, nuk e ka ftuar vetëm PDK-në por narracionin të cilin po kërkon LDK-ja ta krijojë se kinse ne pas zgjedhjeve do të jemi koalicion VV-PDK është i pavërtetë dhe nuk do të ndodhë sepse ne duhet t’i fitojmë zgjedhjet ashtu siç i kemi fituar në vitin 2021, me mbi 50 për qind, nuk e them vetëm unë por e thonë edhe sondazhet kredibile që janë bërë çdo tre muaj në Kosovë”, thekson Bajqinovci për Gazeta Blic.

Sipas tij, opozita nga frika e zgjedhjeve, thotë se kryeministri duhet të japë dorëheqje, derisa shton se ato po luftojnë për vendin e dytë.

“Andaj, unë mendoj që këta nuk e kanë guximin dhe dalin e japin deklarata duke thënë se kryeministri duhet të japë dorëheqje, jo, kryeministri nuk duhet të japë dorëheqje, nëse e keni guximin bëhuni bashkë dhe ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje por nuk e kanë guximin, problemin e kanë për vendin e dytë, lufta është aty, LDK me PDK”, potencon ai.

Sa i përket mundësisë që VV dhe PDK e minoritetet ta shpërndajnë Kuvendin, Bajqinovci hedh poshtë një mundësi të tillë, pasi thotë se mazhoranca s’kanë kërkuar zgjedhje.

“Jo, ne nuk kemi kërkuar zgjedhje, asnjëherë nuk e keni dëgjuar kryeministrin por tash pasi jemi kah fundi, me presionin e madh të opozitës, nëse janë dakord të gjithë, shkojmë, por nëse jo, atëherë vendi duhet të shkojë deri në fund të mandatit të qeverisë që të mos ketë zgjedhje të parakohshme”, deklaron ai.

Bajqinovci i është përgjigjur dhe kryetarit të AAK-së se VV s’do t’i ketë më shumë se 30 deputetë në zgjedhjet e ardhshme, teksa vlerëson se AAK mund mos ta kalojë pragun.

“Nëse është mirë atëherë lideri i AAK-së le të mendojë për shpërbërje të Kuvendit, le ta jep votën për shpërbërje nëse mendon se ne i kemi 30 për qind dhe le të shkojmë në zgjedhje, nëse kanë guxim sepse ndoshta nuk e kalojnë as pragun”, përfundon deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci./Gazeta Blic/