Lajme

KPK-ja i reagon Gërvallës për sulmet ndaj prokurorëve

09/15/2022 09:44
nga:Genita C

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) i ka cilësuar “konspiracione të paqëndrueshme” sulmet e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ndaj prokurorëve.

KPK-ja tha të enjten se dënon ashpër përdorimin sistematik të gjuhës denigruese dhe joinstitucionale të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, të përdorur ndaj prokurorëve të shtetit.

Ministrja Gërvalla ka thënë të martën në emisionin Rubikon të Klan Kosovës se posedon informacione “që një pjesë e prokurorëve”, sipas saj, “merren me gjetjen e preteksteve për të hedhur baltë mbi personalitete të pakorruptuara”.

“Ka në mesin e prokurorëve”, tha Gërvalla, duke vazhduar se “unë kam informacione shumë të sakta, që një pjesë e prokurorëve në mënyrë të qartë merren me gjetjen e preteksteve për të hedhur baltë mbi personalitete të pakorruptuara dhe të pakorruptueshme”.

Komentet, ministrja i bëri derisa po komentonte një kallëzim penal kundër ambasadorit Martin Berishaj, të deponuar në Prokurorinë e Shtetit nga Agjencia Kundër Korrupsion.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës ia rikujton Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës se Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke e trajtuar në mënyrë ligjore një kallëzim penal të pranuar nga Agjencia Kundër Korrupsion. Andaj, çfarëdo konspiracioni i ngritur nga ajo lidhur me këtë çështje është i paqëndrueshëm, joprofesional dhe përbënë tentim për njollosjen e sistemit prokurorial”, thuhet në reagimin e KPK-së.

Në anën tjetër, në komunikatë thuhet se Këshilli Prokurorial i Kosovës respekton të drejtën e secilës organizatë të Shoqërisë Civile, në këtë rast, Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, për të protestuar lidhur me çfarëdo çështjeje që ka të bëjë me sistemin prokurorial, “mirëpo nuk i mirëkupton kur ato devijojnë duke përdorur fjalë fyese dhe denigruese ndaj bartësve të sistemit prokurorial, si dhe duke u munduar kështu të shtyjnë përpara kauza të caktuara politike”.

Rrjedhimisht, KPK-ja, thekson se kjo nuk i shërben aspak aktivizimit të një organizate joqeveritare, por pasqyron në vetvete një veprim publik joracional që është në kundërshtim me parimet dhe të drejtat civile të aktivizimit në shoqëritë demokratike.