Lajme

Kosova as këtë vit nuk aplikon për anëtarësim në INTERPOL

09/12/2021 14:18
nga:Q R

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bën të ditur se Kosova nuk do të aplikojë në Interpol gjatë këtij viti. Derisa thotë se janë duke bërë të gjitha përgatitjet që vitin e ardhshëm Kosova të bëhet anëtare e organizatës ndërkombëtare të sigurisë. Ndërkohë që e vlerëson të qetë situatën e sigurisë në vend, pa incidente serioze në veri.

Ministri Sveçla në një intervistë për KosovaPress paralajmëron se do të jenë edhe më të përpiktë në zbatimin e masave anti-COVID, përderisa thotë se këto të fundit po respektohen në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Ai flet edhe për shtimin e numrit të vrasjeve në vend, për çka thotë se Policia e Kosovës është në vazhdimësi e angazhuar që të parandalojë çfarëdo lloj dhune. Teksa shton se janë në fazën e draftimit të ligjit për armët në mënyrë që të mos ketë armë pa leje në duart e shtetasve të Kosovës.

Duke folur për vendimin Interpol-in këtë vit, Sveçla thotë se janë duke bërë përgatitjet e duhura që vitin e ardhshëm Kosova përfundimisht të jetë pjesë e organizatës, gjë që sipas tij, do të bëjë që lufta kundër krimit të jetë më efikase dhe më e lehtë.

“Unë, qysh më herët, kam marrë vendim që në sesionin e këtij viti ne nuk do të aplikojmë për anëtarësim në INTERPOL, duke parë mungesën e përgatitjeve serioze nga institucionet e Kosovës. Tashmë kemi krijuar grupin punues, i cili do të përgatisë të gjithë dokumentacionin, por edhe do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm që anëtarësimi i Kosovës në vitin e ardhshëm të jetë i sigurt. Do të fillojmë me përgatitjen e strategjisë për lobim, do të kontaktojmë së pari me aleatët tanë, ku nuk do të bisedojmë për votën e tyre, por për mbështetjen e tyre në këtë proces. Normalisht, pastaj do të kalojmë shtet për shtet së bashku me MPJ-në, që dobitë që jo vetëm Kosova, por edhe rajoni dhe gjithë bota demokratike do të ketë prej anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL”, thotë ai.

Rritja e numrit të vrasjeve në Kosovë, veçmas ndaj grave, sipas tij, hynë në kuadër të situatës së rënduar, të pavolitshme, ku një numër i madh i shtetasve të Kosovës kanë qasje apo edhe bartin armë të paligjshme në duart e tyre, që siç thotë ai, duhet që sa më parë të ndërpritet.

“Policia e Kosovës është në vazhdimësi e angazhuar që të parandalojë çfarëdo lloj dhune. Prioritet për ne është dhuna në familje dhe për këtë ka procedura të veçanta, si të raportimit po ashtu edhe të ndërmarrjes së hapave të nevojshëm për sa i takon vrasjeve në përgjithësi… Tashmë kemi edhe iniciativat e para për të ndryshuar ligjin për armët dhe për të ndryshuar po ashtu edhe kodin penal me të cilin masat ndëshkimore ndaj atyre të cilët mbajnë armë pa leje të jenë më të larta dhe të mos përfundojnë vetëm në dënime mandatore, por sikurse të gjitha shtetet në Evropë dhe të gjitha shtetet në rajon, ato masa të jenë më të ashpra në mënyrë që të dekurajojmë mbajtjen e armës nga qytetarët e Republikës të Kosovës”, thotë ai.

Ai tregon për KosovaPress se deri ku kanë shkuar hetimet për rastin e vrasjes së dyfsihtë në Pejë, e që tronditi opinionin në vend.

“Policia e Kosovës, që në momentin e parë është mobilizuar në maksimum të zbulojë rrethanat e kësaj ngjarje tragjike. Tashmë kemi informacione të bazuara mbi atë se çfarë ka ndodhur në këtë rast. Është çështje e hetimeve që në plotni të zbulohen të gjitha rrethanat dhe pastaj të veprohet bazuar në këto të gjetura. Edhe kjo vrasje hynë në kuadër të situatës së rënduar, të pavolitshme, ku një numër i madh i shtetasve të Kosovës kanë qasje apo edhe bartin armë të paligjshme në duart e tyre dhe kjo duhet të ndërpritet”, thotë ministri.

I pyetur për polemikat e fundit me Prokurorinë, Sveçla thotë se nuk është momenti që jashtë dokumentacionit zyrtar, të ketë një lloj shtyrje se “kush e ka mirë”. Ndërkokhë që fton këtë të fundit të dokumentojë atë që ka deklaruar.

“Ka jashtëzakonisht shumë ankesa të pjesëtarëve të Policisë të Kosovës, të cilat në kapacitetet e tyre kryejnë detyrat e tyre dhe pastaj aty ngelin, aty ka ngecje në vazhdim. Në atë rast, unë kam qenë i gatshëm që t’ia prezantojë prokurorisë të gjitha faktet, të cilat unë i kam bërë publike, Prokuroria ato veçse i ka. Kështu që nuk është as momenti as mënyra që ne jashtë dokumentacionit zyrtar, të kemi një lloj shtyrje se ‘kush e ka mirë’. Nëse ata mendojnë që unë kam dhënë deklaratë të papërgjegjshme, atëherë le të dokumentojnë këtë. Përndryshe, unë e kam dokumentuar të kundërtën”, thotë ai.

Ai flet edhe për situatën e sigurisë në veri të vendit, për çka thotë se nuk ka incidente serioze. I pyetur rreth angazhimit të MPB-së në shuarjen e strukturave paralele serbe atje, i pari i këtij dikasteri thotë se këto të fundit duhet të luftohen me të gjithë mekanizmat e shtetit.

“Incidente serioze në veri nuk ka. Shkelje ligjore të llojeve të ndryshme ka në një masë më të madhe sesa pjesa tjetër e territorit të Republikës tonë. Nuk është vetëm çështje e Policisë të Kosovës për të vendosur rend dhe ligj aty, është çështje e shumë mekanizmave të cilët janë të mobilizuara që hap pas hapi, ditë për ditë të zgjedhin probleme të grumbulluara me dekada. Vështirësi e veçantë për neve janë marrëveshjet gjysmake apo praktikat e këqija të lejuara deri tani, të cilat kanë sjellë në një normalitet në situata të cilat janë buzë ligjit apo që janë të kundërligjshme. Këto duhet t’i luftojmë me të gjitha mekanizmat e shtetit në vazhdimësi dhe normalisht që duke zgjedhur një problem pas tjetrit do të ndryshojmë situatën edhe atje”, thotë ai.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla flet edhe për refugjatët afganë të strehuar në Kosovë. Thotë se janë duke punuar që ditëve në vijim disa nga ta të udhëtojnë në destinacionin e tyre.

“I gjithë procesi është duke vazhduar pa asnjë ngecje, pa asnjë dështim, pa as më të voglin dështim dhe do të vazhdojmë kështu derisa në plotni të përmbyllim angazhimet, të cilat i kemi marrë përsipër. Momentalisht kemi pak më pak se 1 mijë shtetas afganë, të cilët janë strehuar në ish-kampin e Bechtel-Enkas në afërsi të Ferizajt dhe në kampin Bondsteel. Në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e NATO-së dhe ShBA-së ne jemi duke u përkujdesur si për sigurinë e tyre, edhe për mirëqenien e tyre. Në bazë të këtyre marrëveshjeve të gjitha shpenzimet mbulohen nga vetë NATO dhe ShBA deri në momentin kur këto dy institucione nuk gjejnë zgjidhje afatgjate për ta. Tashmë jemi duke punuar që ditëve në vijim, një pjesë e tyre të udhëtojnë në destinacionin e tyre dhe unë mendoj se nuk kemi nevojë për plane afatgjata. Kemi plane afatshkurtra dhe afatmesme”, thotë ai.

Sa i përket mungesës së materialeve për pajisjen me dokument personal (letërnjoftim), Sveçla thotë se është çështje javësh kur ky problem do të gjejë zgjidhje përfundimtare. Ndërkohë që shton se kategori të caktuara mund të marrin letërnjoftimin menjëherë.

Ai thekson se në këtë mes hyjnë edhe 18-vjeçarët të cilët planifikohet që të votojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale në vend.

“Kategori të caktuara të shtetasve tanë mund të marrin letërnjoftimin menjëherë. Për shembull, ata që marrin letërnjoftimin për herë të parë, 18-vjeçarët të cilët planifikohet që të votojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale, ata të cilët për një arsye apo një tjetër iu nevojitet letërnjoftimi i ri me datë të re. Unë besoj që është çështje ditësh apo javësh që kjo situatë do të stabilizohet dhe ne do të kemi furnizim të pandërprerë me materiale qoftë për letërnjoftim, qoftë për dokumente tjera”, tregon ai.

Minsitri Sveçla tregon për KosovaPress se janë në fazën përfundimtare të përmbylljes së marrëveshjes më Gjermaninë për njohjen e patentë shoferëve. Derisa shton se ka edhe prej vendeve tjera premtime për një gjë të tillë.

Sa i përket planeve të Ministrisë që e udhëheq, Sveçla thotë se planifikojnë një reformë të thellë në sektorin e sigurisë dhe në administratën publike. Ndërkohë që bën të ditur se draft-ligji për pensionimin e parakohshëm të pjesëtarëve të policisë dhe ai për sigurimet shëndetësore për policinë tashmë ndodhen në duart e Ministrisë së Financave, pasi siç thotë ai, MPB ka kryer obligimet e saj.

Vitia dhe zëvendësministrja e Arsimit do të mbajnë konferencë për media