Lajme

Konjufca: Prehu në paqe mikja jonë e çmuar dhe e paharruar

03/23/2022 22:04
nga:Genita C

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar për vdekjen e mikes së Kosovës, Madeleine Albright, e cila vdiq sot në moshën 84 vjeçare.

Konjufca në një postim në Facebook shkroi se kontributi i Albright do të mbetet i paharruar për Kosovën.

“Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Sekretares Amerikane të Shtetit dhe mikes së madhe të Kosovës dhe shqiptarëve, Madeleine Albright. Kontributi i Zonjës Albright për çlirimin, paqen, lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, do të mbetet i paharruar në mendjet dhe zemrat tona. Në këto çaste dhimbjeje për humbjen e politikanes së shquar e pragmatiste, shpirtit të humanizmit dhe simbolit të guximit kundër barbarisë së Milosheviqit, bashkëndjejmë me familjen Albright, të afërmit dhe mbarë popullin amerikan. Prehu në paqe mikja jonë e çmuar dhe e paharruar!”, shkroi Konjufca.