Lajme

Konjufca kërkon kapjen e vrasësit së 35-vjeçares

11/30/2022 21:22
nga:Genita C

Kryekuvendari Glauk Konjufca ka deklaruar se sonte u tronditëm nga vrasja makabre e gruas 35-vjeçare, në oborrin e QKUK-së, e cila ishte shtatzënë në ditët e fundit duke pritur për ta sjellë në jetë fëmijën e saj.

“Edhe një vrasje e një gruaje nga burri i saj brenda pak ditësh pasi një tjetër grua u vra me sëpatë nga burri i saj në shtëpinë e saj. Në momente të tilla, nuk ka fjalë që përshkruan mllefin dhe dhimbjen që secilin prej nesh ndien”, shkroi Konjufca në Facebook.

Sipas tij, ngjarje si këto në javën e fundit, pikërisht në kohën kur po shënohet fushata globale kundër dhunës me bazë gjinore, tregon domosdoshmërinë për përkushtim dhe reagim institucional e shoqëror.

“Gratë dhe vajzat nuk janë vetëm në këtë betejë. Iu bej thirrje institucioneve të rendit të bejnë çmos që ta kapin vrasësin. Kurse institucioneve të drejtësisë që t’ia japin dënimin e merituar”, shtoi ai.

“Bashkëndiej me familjen, të afërmit dhe miqtë e viktimës dhe iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta”.