Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kritikuar mënyrën se si Kuvendi i Kosovës ka publikuar një komunikatë për media, duke thënë se në të nuk janë përfshirë partitë e tjera parlamentare opozitare.
Hoxhaj, në një deklaratë para mediave, tha se kjo mënyrë e komunikimit nga Kuvendi tregon, sipas tij, për mungesë të demokracisë dhe respektimit të institucioneve legjitime.
“Mënyra se si Kuvendi i Kosovës e ka lëshuar një komunikatë për media, duke u distancuar prej partive politike parlamentare të cilat janë në Kuvendin e Kosovës, dhe ju ftoj që ta shihni komunikatën, tregon se ky vend realisht nuk është demokraci dhe nuk udhëhiqet prej institucioneve legjitime. Kjo ndërtesë është ndërtesë e një regjimi autoritar që për 18 muaj ka bërë puç, duke uzurpuar zyrën e kryeministrit, sepse është vetëm deputet. Në mënyrën se si Kuvendi e ka lëshuar mbrëmë komunikatën, ne, si deputetë të Kuvendit të Kosovës, do të kërkojmë llogari, sepse në vendet ku s’ka demokraci mundet Kuvendi t’i përjashtojë tri parti politike, sikurse mbrëmë që u lëshua komunikata prej Kuvendit”, tha Hoxhaj.


