Sporti

Kombëtarja nis përgatitjet për sfidën ndaj Ishujve Faroe, dy lojtarë nuk udhëtuan me grupin

06/19/2023 15:32
nga:Lorik J

Kombëtarja shqiptare ka udhëtuar këtë të diel drejt Ishujve Faroe, në kuadër të ndeshjes së tretë të kualifikueseve të “Euro 2024”, që luhet më 20 qershor. Sipas planifikimit, ka nisur edhe seancat stërvitore.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se me grupin kanë udhëtuar në transfertë 24 lojtarë, teksa mungojnë portieri Simon Simoni dhe mbrojtësi Adrian Bajrami. Këto dy lojtarë nuk janë përfshirë në listën finale për ndeshjen me Ishujt Faroe nga trajneri Sylvinho.

Me të mbërritur në Torshava, në orët e pasdites së djeshme, kombëtarja ka zhvilluar një seancë të lehtë stërvitore në aneksin e stadiumit të ndeshjes, që ka shërbyer më shumë si një shkrythje për lojtarët, pas një udhëtimi të gjatë.

Sot është vijuar me seancën e radhës, më impenjative fizikisht dhe taktikisht. Të gjithë lojtarët në dispozicion janë në formë të mirë fizike dhe atmosfera sigurisht mbetet pozitive, pas fitores së rëndësishme të së shtunës ndaj Moldavisë, në stadiumin “Arena Kombëtare”.