Lajme

Komandanti i KFOR’it: Mbajtja e komunikimit me ushtrinë serbe është vitale për të parandaluar çdo rrezik përshkallëzimi

12/11/2025 13:48
nga:Sh R

Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, tha se komunikimet rregullta me ushtrinë serbe janë të rëndësishme për të parandaluar çdo përshkallëzim të mundshëm.

Ulutash i bëri këto deklarata pas vizitës në Serbi, ku u takua me kreun e ushtrisë serbe, gjeneralin Millan Mojsilloviq.

“Komunikimet e rregullta dhe të hapura mes KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë janë vitale për të adresuar zhvillimet e rëndësishme dhe për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm të përshkallëzimit me kohë, në mënyrë të duhur, transparente dhe konstruktive. Në javët dhe muajt në vijim, unë do të bëj pjesën time për t’u siguruar që të vazhdojmë t’i shfrytëzojmë sa më mirë këto komunikime të rregullta”, tha Ulutash përmes një deklarate.

Edhe gjatë mandatit të parë të tij në krye të KFOR-it, Ulutash kishte vizituar Beogradin.

Ulutash e falënderoi për mikpritjen Mojsilloviqin me të cilin, tha se “veçse kam zhvilluar një bashkëpunim të hapur dhe frytdhënës gjatë mandatit tim të parë në krye të KFOR-it. Mezi pres të takohem sërish me të, së shpejti”.

Kreu i KFOR-it tha se misioni është i angazhuar për të ofruar siguri që “mundëson krijimin e kushteve të nevojshme për dialog politik”.

“NATO përfshirë përmes punës së përditshme të KFOR-it vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian mes Prishtinës dhe Beogradit, si kornizë për të adresuar çështjet e mbetura me qëllim që të përfitojnë të gjithë njerëzit”, tha Ulutash./REL/