Lajme

“Koha për Prishtinën”, ky është slogani i Uran Ismailit në garën për kryeqytetin

07/17/2025 18:37
nga:Sh R

Pas zyrtarizimit të kandidaturës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili ka zbuluar edhe sloganin që do të shënojë rrugëtimin e tij në këtë fushatë: “Koha për Prishtinën.”

Ky mesazh është bërë publik përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale, ku përveç vizionit të tij për kryeqytetin, Urani përcjell edhe një thirrje të qartë për veprim nga të gjithë pa dallim.

Sipas Ismailit, “Koha për Prishtinën” nuk është vetëm një slogan, por një bindje – se tani është momenti për të ndalur kaosin dhe për të kthyer fokusin drejt qytetit që ka nevojë për zgjidhje të guximshme dhe udhëheqje me përkushtim.

“Është koha për Prishtinën dhe për qytetarët e saj, që çdo ditë përballen me sfida si trafiku, ndotja, mungesa e pastërtisë, siguria në lagje dhe mungesa e hapësirave të jetueshme.”, ka thënë ai.

Është paralajmëruar, se fushata e tij do të ndërtohet mbi disa shtylla kryesore: zgjidhje konkrete për problemet e përditshme të Prishtinës dhe për secilën lagje si një njeri i rritur dhe i familjarëzuar me nevojat e kryeqytetit, si politikan me përvojë menaxheriale i dëshmuar si ish ministër i Shëndetësisë dhe gatishmërinë për të punuar për Prishtinën me ekipin më të mirë të mbledhur përreth vetes.